Politika e jashtme përgjatë një viti nën qeverisjen e Albin Kurtit, do të jetë tema e debatit të thirrur nga partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se Qeveria e Kosovës është jashtëzakonisht e mbyllur në raport me dialogun dhe opinionin publik, derisa thonë se ka pak informacione se çfarë agjende ka në dialog.
Tahiri u shpreh se janë bërë një vit që procesi i dialogut është kategorizuar me një mos transparencë jashtëzakonisht të madhe nga kreu i qeverisë, Albin Kurti.
“Kjo është një çështje dhe një agjendë e qeverisë së Kosovës. Si parlament jemi ballafaquar me një mos transparencë jashtëzakonisht të madhe. Janë disa rezoluta të Kuvendit të Kosovës të cilat e obligojnë kryeministrin e Kosovës që mbas çdo takimi të vijë dhe të raportojë në kuvendin e Kosovës. Raportimet nuk kanë ndodhur por kanë ndodhur disa debate të cilat kanë qenë me kërkesë të partive parlamentare opozitare”.
“Mirëpo në anën tjetër qeveria është jashtëzakonisht e mbyllur në raport me dialogun dhe opinionin publik dhe shumë pak kemi marrë informata nga ana e tyre se çfarë agjende ka qeveria e Kosovës, sa herë e ka shtruar çështjen e të zhdukurve dhe tema tjera të hapura me republikën e Serbisë. Dhe i tërë ky proces qe një vit është kategorizuar me një mos transparencë jashtëzakonisht të madhe”, tha Tahiri.
Tahiri shtoi se Qeveria ka dështuar sa i përket angazhimit në politikën e jashtme për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe liberalizim të vizave.
Sipas tij, Kosova ka një vit që qeveriset nga një politikë e jashtme e ngrirë si prej aspektit të Presidentes Osmani ashtu edhe nga Qeveria e Kosovës.
“Realisht sa i përket angazhimit tonë si shtet në politikën e jashtme për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, në çështjen e liberalizimit të vizave qeveria lënë shumë për të dëshiruar për shkak dështimeve të mëdha në këtë proces dhe mos shfrytëzimit të kësaj situate edhe si rezultat i konfliktit në Ukrainë ne kemi ftuar një debat parlamentar të martën me kryeministrin dhe ministren e jashtme ku do të ngrisim të gjitha këto çështje që janë preokupime tona si parti opozitare”.
“Këtu kemi një ngecje jashtëzakonisht të madhe edhe sa i përket angazhimit të mëtutjeshëm qoftë për liberalizim të vizave qoftë edhe për plotësim të kushteve në raport me integrime evropiane. Për një vit e kemi pasur një politikë të jashtme të ngrirë si prej aspektit të presidentes që e përfaqëson Kosovën në politikën e jashtme ashtu edhe nga qeveria e Kosovës. Nuk hyhet për me apliku për të dështuar. Në këtë proces duhet të ketë një lobim të fuqishëm me shtetet mike të Kosovës me partner strategjik që Kosova në këshillin e Evropës që është mundësi e artë e që ky proces është dëmtuar pas një vizite të zëvendëskryeministrit të Kosovës pikërisht në këshillin e Evropës duke nxjerrë të pavërteta që nuk janë folur në takim”.
Shefi i deputetëve të PDK-së, tha se kanë ftuar debat parlamentar të martën me Kryeministrin Kurti dhe Ministren e Jashtme Gërvalla për të diskutuar rreth shumë zhvillimeve dhe skandaleve që kanë ndodhur në politikën e jashtme për gjatë një viti të Qeverisë Kurti.
“Ky proces është dëmtuar mirëpo prapë besoj se ka gjasa që Kosova të avancojë në këtë proces për faktin që Rusia është suspenduar nga këshilli i Evropës. Kjo mos transparenca është diçka që e karakterizon këtë qeveri e sidomos ministren Gërvalla. Prandaj kanë ndodhur një mori zhvillimesh të cilat ne jemi njoftuar qoftë nga mediet qoftë nga partnerët tanë mirëpo jo nga qeveria e Kosovës që të jetë transparente në raport me parlamentin dhe qytetarët se cili është angazhimi i tyre. Prandaj ky debat që do të mbahen ditën e martë do të kontribuojë në hedhjen në dritë shumë zhvillimeve edhe shumë skandaleve që ka prodhuar në politikën e jashtme qeveria e Kosovës brenda një viti”, tha ai.