Tahiri: Qytetarët përballen me vështirësi ekstreme për ngrohje dhe me çmime të papërballueshme

Prishtinë | 25 Dhj 2024 | 15:29 | Nga Ekonomia Online

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se tarifa e energjisë tashmë është e papërballueshme për shumëkënd, raporton Ekonomia Online.

“Thirrja e Ministrisë së Ekonomisë, KOSTT dhe KESCO për kursim gjatë orëve të pikut, të përcaktuara ndërmjet 18:00 dhe 21:00 – 24:00, duket më shumë si një arsyetim sesa një zgjidhje e mirëfilltë. Koha e pikut përkon me nevojën për ngrohje dhe përdorimin e shërbimeve me energji. Orari 18:00 tregon një periudhë kur qytetarët, gjatë gjithë ditës, nuk përdorin pajisjet e tyre në mënyrë intensive, ose lidhet me momentin e përgatitjes së ushqimit. Ndërsa orari 21:00 – 24:00 përputhet me kohën kur temperaturat bien ndjeshëm dhe fillon tarifa e lirë”, ka shkruar Tahiri.

Në vend që të zgjasin oraret e tarifës së lirë, sipas tij qytetarëve u propozohet të shtojnë konsumimin e energjisë gjatë tarifës së shtrenjtë, e cila është tashmë e papërballueshme për shumëkënd.

“Siç duket, të gjitha masat e propozuara dhe të zbatuara kanë dështuar. Kjo dëshmohet edhe me rritjen e kufirit maksimal të konsumit deri në 1400 MW. Për sa i përket nën-stacioneve, si ai i Fushë Kosovës, dështimi është përgjegjësi e KOSTT, siç është evidentuar edhe në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Ndryshoni oraret, merrni masa të qëndrueshme – qytetarët tashmë përballen me vështirësi ekstreme për ngrohje dhe me çmime të papërballueshme”, ka thënë ai

Të ngjashme