Tahiri: Rënia e LDK-së nuk do të ndalet, dorëheqja e Mustafës vështirë se sjell reforma

Prishtinë | 15 Shk 2021 | 15:54 | Nga Fitore Berisha

Politologu Ramush Tahiri vlerëson se rënia e Lidhjes Demokratike të Kosovës mund të mos ndalet, duke shtuar se mbetet të shihet nëse dorëheqja e Isa Mustafës dhe Kryesisë së partisë do të ketë efekte pozitive në reformimin e kësaj partie, raporton Ekonomia Online.

“LDK ka vite që ka nisur rënien e saj e cila do te vazhdoje nëse nuk riorganizohet shpejtë në strukturë të kuadrove por sidomos në idetë politike. LDK-ja është thirrur në rugovizëm duke mos e kuptuar fare kontekstin as historik e as aktual por duke e vringëlluar kinse si vlerë kundër partive të tjera. Mundet që rënia të mos mund të ndalet dhe që LDK-ja të pësoi fatin e PPD të Maqedonisë. Dorëheqja e kryetarit Isa Mustafa por edhe e të gjithë garniturës përkrahëse është për t’u parë a do të jetë nxitje dhe a do të ketë kohë për reforma rrënjësore apo proceset e nisura shoqërore e demokratike do ta marrin përpara pa qenë faktorë”, tha ai për Ekonomia Online.

Tutje, Tahiri tha se LDK-ja nuk do të jetë opozitë e fortë, por shtoi se rol në të ardhmen e kësaj partie do të kenë ata që do të zgjidhen deputetë të Kuvendit të Kosovës.

“Tash është koha e Vetëvendosjes që si vërshime do t’i merr të gjithë dhe do të ndikojë në ndërtimin e dy blloqeve politike…Duket se LDK-ja nuk do të jetë faktor i njërit bllok por kjo do të jetë PDK-ja. Mbetet të shihet sa deputetë do të merr Vjosa Osmani dhe a do të ketë mjaftueshëm për Grup Parlamentar dhe si do të pozicionohet. Unë nuk mendoj se në rrethanat e krijuara ajo do të ketë sukses për të ndërtuar një vizion politik. Do të digjet në garën për postin e Presidentes. Në LDK mbetet të shihet a do të harmonizohen dhe a do të arrihen kompromise mbijetese ndërmjet autoriteteve të komunave që ka gjasa të ndodhë apo do të ketë një proces të mirëfilltë zgjedhor që LDK-ja asnjëherë nuk e pati të shtrirë në të gjithë strukturën e saj. Një rol në të ardhmen e LDK jo pa rëndësi do ta kenë ata që do të zgjidhen deputetë duke treguar se kanë njëfarë legjitimiteti edhe pse të brishtë në mënyrën e zgjedhjes e kandidimit”, përfundoi ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme