Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, tha se njohja nga Serbia Kosovës duhet t’i vijë në fund të dialogut të Brukselit.
Duke folur në sesionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s që iu kushtua dialogut Prishtinë-Beograd-lëvizjes përtej rrugëve të bllokuara, ministrja pa portofol Edita Tahiri tha se njohja duhet të vijë në fund të këtij dialogu, ashtu si paqja në fund të luftës.
“Ne e konsiderojmë këtë dialog si dialog për fqinjësi të mirë dhe vlera e tij lidhet me aspiratën tonë euroatlantike e përkushtimin tonë për stabilitet dhe me vizionin që pas luftës vie paqja. Kjo paqe nënkupton qe në fund te dialogut duhet të ndodhë njohja mes dy shteteve. Çështje kryesore, njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, bazë për krijimin e marrëdhënieve paqësore mes dy popujve,” tha Tahiri.
Ajo deklaroi se dialogu i Brukselit po jep rezultate.
“Dialogu i Brukselit ka dhanë rezultate mjaft të randësishme, madje rezultate historike,” tha Tahiri, duke i argumentuar këto fjalë me faktin se Kosova e Serbia biseduan dy herë në Rambuje në vitin 1999 dhe në Vjenë në vitet 2006-2007, por atëherë sipas saj Serbia nuk nënshkroi ato marrëveshje.
“E ky dialog që po zhvillohet edhe sot rezultoi në nënshkrim të marrëveshjeve,” tha Tahiri.
Ministrja për Dialog tha se integrimi i vendeve të Ballkanit në BE duhet të përshpejtohet.
“Ka disa faktorë që nuk e kanë të qartë çështjen e vizionit euroatlantik, Qeveria e Kosovës mendon që BE-ja duhet të përshpejtojë procedurat e integrimit për vendet e Ballkanit, e kështu do të krijohej stabilitet,” tha Tahiri.