Tahiri thotë se në seancën e radhës do të kërkojnë shkarkimin e ministres Hajdari

Prishtinë | 30 Jan 2023 | 12:58 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se në seancën që është paraparë të mbahet të mërkurën do të kërkojnë shkarkimin e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Kjo, sipas tij, vjen pas disa skandaleve në këtë ministri.

“Pikë e propozuar nga PDK-ja që do ta trajtojë gjendjen mjaft të rëndë të Ministrisë së Tregtisë, një mori skandalesh që kanë ndodhur brenda dy viteve, dënimin për mosdeklarimin e pasurisë së ministres që e drejton këtë dikaster dhe pikërisht kemi përgatitur një rezolutë që kërkon shkarkimin e ministres Rozeta Hajdari”, ka thënë Tahiri pas mbledhjes së kryesisë.

Ai tha se do të angazhohen ta shkarkojnë edhe ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Ai tha se kanë përgatitur një raport për krizën energjetike dhe do të bëjnë kallëzim penal për drejtuesit e sistemit energjetik të vendit.

“Jemi duke përgatitur raportin për të bërë një kallëzim penal për drejtuesit e institucioneve në sistemin energjetik që kanë ndodhur në atë periudhë. Ju e dini se aty është intervistuar edhe zoti Berishaj, i cili ka gënjyer nën betim për disa çështje që e kemi pyetur për të hyrat milionëshe. Siç duket ky po del të jetë një problem i madh e shohim një mbrojtje të fuqishme që i bëjnë ata një ambasadori të inkriminuar në një krim ndërkombëtar për shpëlarje parash. Do të angazhohemi në vazhdimësi që ky person që i ka bërë dëm të madh vendit tonë të shkarkohet dhe të vihet para drejtësisë”, u shpreh Tahiri.

Sipas tij, që nga lufta nuk ka pasur person që ka kryer një krim të tillë, që në sy të institucioneve t’i tërheqë mbi 1 milion euro nga banka.

“Zyrtarët të lartë të AKI-së duhet të tregojnë qysh ka mundur ai t’i nxjerrë ato para… si duket kemi një angazhim të madh të institucioneve. Bankat janë të obliguara të raportojnë kur dikush tërheq aq shumë para… Është një problem që ne nuk do të ndalemi deri sa të vihet ai para drejtësisë”, shtoi Tahiri.

Të ngjashme