Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka zbuluar detaje rreth takimit të fundit ndërmjet liderëve shtetëror ditë më parë.
Ai ka thënë se në atë takim kanë diskutuar rreth përgatitjeve për Pavarësinë, për agjendën e Konferencës së Sigurisë së Mynihut, dhe ka mohuar që në atë takim të jetë diskutuar aktualiteti politik në vend, përkatësisht çështja e taksës.
“Është diskutuar rreth angazhimeve për pavarësinë dhe festës. Është diskutuar edhe agjenda në konferencën për siguri të Mynihut. Nuk ka pas diçka tjetër që është ndërlidhe me aktualitetin politik në vend. Nuk ka qenë fare taksa temë e diskutimit ”, ka thënë Tahiri në FRONTAL të T7, raporton Gazeta Express.
Sa i përket të ftuarve, Tahiri thotë se beson që Behgjet Paclli ka qenë i ftuar në atë takim, megjithatë mohon që Lufti Haziri të ketë qenë pjesë e atij takimi.
“Pacolli besoj që është ftuar. Lufti Haziri nuk ka qenë në takim, ai mund të ketë qenë në të njëjtin restorant. Por në asnjë rrethanë nuk kemi pasur takim me të”, ka shtuar ndër të tjera zyrtari i PDK-së.
Ish-deputeti i PDK-së, ka thënë se nuk dëshiron që të prishen raportet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe ai thotë që si ministër është i gatshëm që sot të zbatojë kërkesën e SHBA-së për heqjen e taksës.
“Ka një përpjekje të madhe për pezullim të taksës. Është propozimi i Kadri Veselit. Nuk do të doja asnjëherë që shteti i jonë që të gjitha këto të arritura, të jemi në mesin e vendeve që iu vendosin sanksione sikurse Rusisë, Iranit. Institucionet janë përgjegjëse, duke më përfshirë edhe mua. E kemi vendosur këtë taksë kundër një shteti që ka bërë represion kundër Kosovës. Ka qenë shumë e drejtë në kohën kur është bërë. Sot si ministër e kam gatishmërinë që të respektojmë kërkesën e SHBA-së”, ka shtuari ai, raporton Express.
Megjithatë thotë se vendimi për heqjen e taksës është në dorën e kryeministrit Haradinaj, dhe ka mohuar që PDK-ja të ketë vendosur ndonjë vij të kuqe për Haradinajn sa i përket taksës.
“Nuk mund të flas në emër të Haradinajt, është në dorën e tij që ta vendos në rend dite në qeveri. Nuk dua të besoj që ka drejtues të institucioneve që mund t’i shkaktojnë dëm relacioneve Kosovë-SHBA. Besoj që Haradinaj do t’i bëjë një analizë të qartë kërkesës së SHBA-së dhe besoj që do të kemi hapa si institucione që s’do t’i cenojnë këto relacione. Nuk kemi vendosur ‘deadline’, nuk funksionojmë më një logjikë të tillë. Jemi në kontakte të vazhdueshme me ekipin e kryeministrit”, shton ai.
Tahiri thotë se letrat e dërguara në drejtim të liderëve kosovarë tregon se raportet Kosovë-SHBA janë në një situatë të ndjeshme, dhe shpreson që do të ketë reflektim.
“Letrat e tyre tregojnë që jemi në një situatë të ndjeshme, dhe po shpresoj që do të reflektojmë dhe do të marrim hapa që janë në një linjë me SHBA-në, në të kundërtën marrim një barrë shumë të rëndë. Veseli cdo ditë punon dhe angazhohet në këtë drejtim, për ruajtjen e raporteve me SHBA-në, dhe besoj se një angazhim i tillë do të jep rezultat, duke implementuar platformën e tij për pezullim të taksës për 120 ditë”, ka thënë ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.