Shefi i grupit parlamentar, Abelard Tahiri, tha në kuvend se Lëvizja Vetëvendosje dhe Mimoza Kusari-Lila janë në mbrojtje të të gjitha parregullsive dhe krimeve që kanë ndodhur gjatë periudhës së ngritjes së energjisë elektrike, pasi siç tha ai, janë kundër komisionit hetimor.
Tahiri tha se përmes këtij komisioni po kërkojnë hetimin e blerjes së energjisë elektrike, punësimeve në KEK dhe një punë të detajuar të ZRrE-së.
“U munduam ta mbajmë nivelin e debatit dhe kryesisht në çështje teknike të themelimit të këtij komisioni. Është formaliteti i cili duhet të ndodhë dhe as votim s’ka nevojë. Krejt çka duhet është propozimi i temave për kryesues për anëtarë. 40 deputetë e caktojnë, nuk e inicojnë. Po kërkojmë formalizimin e këtij procesi. E shohim qartë që edhe Lëvizja Vetëvendosje edhe Kusari-Lila janë në mbrojtje të të gjitha parregullsive dhe krimeve që po pretendojmë se kanë ndodhur gjatë kësaj kohe. Kërkojmë hetimin e blerjes së energjisë elektrike, hetimin e punësimeve në KEK. Kërkojmë një punë të detajuar të ZRrE-së që kanë vendosur për ngritjen e energjisë elektrike. Me thënë një institucion i pavarur që nuk e respektoj vendimin e gjykatës, meriton shkarkimin nga ky kuvend”.
Tutje, Tahiri tha se nuk ka deputetë në kuvend që nuk dëshiron t’i hedh dritë të gjitha zhvillimeve në kohën e krizës energjetike.
“E kemi caktuar me 40 nënshkrime dhe sot me u kap thjesht tek kryesuesi të thuhet që nuk iu takon, nuk pajtohemi dhe nuk lejojmë që një gjë e tillë të ndodhë, sepse krejt cka po kërkojmë është ta shfrytëzojmë një të drejtë kushtetuese. Që dy muaj orvatemi dhe hasemi në pengesa për ta themeluar një komision të tillë. S’ka deputetë në këtë kuvend që është kundër hedhjes dritë mbi të gjitha zhvillimet në kohën e krizës energjetike”, tha ai