Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të hënën i pret në takim konsultativ përfaqësuesit e partive politike, konfirmojnë zyrtarët e Zyrës së Presidentit të Kosovës.
Ardian Arifaj, këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, thotë për Radion Evropa e Lirë se ftesa e presidentit është e hapur për të gjitha subjektet që kanë fituar ulëset në Kuvendin e Kosovës.
“Për në orën 10 është ftuar një takim konsultativ nga ana e presidentit të Kosovës. Janë ftuar të gjitha partitë që kanë fituar ulëse në Kuvendin e ri të Kosovës. Qëllimi i takimit, siç po thotë edhe vetë emri, është që të konsultohemi të gjithë për hapat e mëtutjeshëm për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe të institucioneve tjera, pas zgjedhjeve të qershorit të këtij viti”.
“Ftesa është e hapur për të gjitha partitë politike dhe besojmë që të gjitha partitë politike do të marrin pjesë në këtë takim. Nuk është kërkuar konfirmim prej asnjë partie politike”, deklaron Arifaj.
Në anën tjetër, ftesën që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka dërguar partive politike,përfaqësuesit e subjekteve politike, që për kah numri i votave janë radhitur pas koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN, e kanë vlerësuar si blerje kohe.
Kryesisht dominon mendimi se ftesa që Thaçi u ka drejtuar partive politike, ka qenë e panevojshme, pasi që vlerësohet se ai ka mundur të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit dhe më pastaj t’i takojë partitë politike për të diskutuar me to rreth formimit të Qeverisë së re.
Ditën e premte, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e kanë quajtur të panevojshëm takimin e ftuar nga presidenti Thaçi.
Lëvizja Vetëvendosje, si subjekt politik i dytë më i madh për kah numri i votave në Kuvendin e Kosovës, përmes rrjetit social Facebook ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në takimin e presidentit Thaçi.?
“Thaçi nuk ka asnjë kompetencë ligjore që t’i ftojë subjektet politike për t’u konsultuar lidhur me ditën dhe datën e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit dhe ne nuk kemi asnjë obligim ligjor që të shkojmë në këtë takim”, thuhet në deklaratën e Lëvizje Vetëvendosje.
Ngjashëm, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka paralajmëruar edhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
“Si lider i LDK-së, nuk do të marr pjesë as në takimin e ftuar nga presidenti, sepse konsideroj që takimet e tilla janë të panevojshme dhe se ato po krijojnë hapësirë për huti dhe konfuzion dhe për të blerë kohë për manipulime të ulëta me deputetë nga njerëz të caktuar të PAN-it dhe shërbëtorë të tyre”, ka thënë Mustafa.
Për analistët politikë, ftesa e presidentit Thaçit ishte një lloj favori që ai i ka bërë koalicionit fitues të zgjedhjeve PAN.
Analisti i Institutit Demokratik të Kosovës, Albert Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk e sheh të nevojshëm takimin e ftuar nga presidenti Thaçi për partitë politike.
“Ky nuk është një obligim, i cili kërkohet nga presidenti, për shkak se të vetmin obligim që e ka presidenti në këtë fazë, është që të caktojë datën dhe ta thërras seancën konstituive ( të Kuvendit të Kosovës), e pastaj është kryesia e vjetër e Kuvendit, e cila zhvillon takime të tilla, ku cakton agjendën e seancës konstituive dhe ndarjen e ulëseve për forcat politike”, thekson Krasniqi.
Mendim të ngjashëm ka edhe Valmir Ismajli, analist nga organizata joqeveritare “Demokraci Plus”. Sipas tij, presidenti Thaçi po vonon me procedimin për thirrjen e seancës së parë të Kuvendit të ri të Kosovës.
“Do të ishte e rrugës që presidenti i vendit sa më shpejt ta thërrasë seancën konstituive (të Kuvendit) dhe të mos thërrasë takime të tilla të panevojshme si ai i së hënës”, vlerëson Ismajli
Sidoqoftë, konstituimi i Kuvendit të Kosovës, hap rrugë që presidenti i vendit t’i japë mandatin njërit prej kandidatëve të propozuar për kryeministër që ta krijojë qeverinë e re dhe në këtë rast, në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit, kandidatit të koalicionit PAN-it, Ramush Haradinajn. Për formimin e qeverisë së re, nevojiten së paku 61 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, i cili i ka 120 ulëse./REL