Ekipi negociator për dialogun me Serbinë, është në përfundim e sipër të platformës që do të reflektojë unifikimin e qëndrimit të Kosovës në dialogun final për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, konfirmon për Radion Evropa e Lirë, bashkëdrejtuesi i Ekipit negociator, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj.
Ai thekson se që nga votimi i Kuvendit të Kosovës për Ekipin negociator, ky i fundit ka punuar dhe është duke punuar për normalitetin ndërinstitucional, me objektivin që të unifikojë qëndrimin e Kosovës në dialogun final me Serbinë, përmes platformës për dialogun.
“Unë besoj që platformën do ta kemi gjatë javës së ardhshme, do të jetë e gatshme si draft dhe do t’i procedohet Kuvendit të Kosovës. Platforma ka objektiv për ta bërë publik pozicionin e Republikës së Kosovës në dialogun e ardhshëm dhe çka pret Kosova në atë dialog. Aty e reflekton vullnetin dhe gatishmërinë për dialog, por, njëkohësisht edhe pritjet tona për epilogun e dialogut. Këtë e ka objektiv dhe do të thotë që Kosova del me një pozicion përfundimisht zyrtar”, thekson Limaj.
Limaj shton se Ekipi negociator është duke punuar për t’i koordinuar aktivitetet me krerët e institucioneve të larta të Kosovës dhe rezultatet e këtij koordinimi, pritet të shihen në platformën, e cila do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës.
Ai, gjithashtu, thekson se të martën e javës së ardhshme, Ekipi negociator pritet të udhëtojë në Bruksel, ku do të ketë një takim pune me zyrtarët e Bashkimit Evropian.
“Ne do të jemi në Bruksel të martën, për të diskutuar së bashku me Brukselin se si e shohim vazhdimin e mëtutjeshëm të dialogut. Kështu që, do të jetë një takim pune, një takim teknik, nëse mund ta quaj kështu, për të biseduar modalitetet e vazhdimit të dialogut në të ardhmen”, bën të ditur Limaj.
Bashkëkryesuesi tjetër i Delegacionit shtetëror për dialogun me Serbinë, Shpend Ahmeti, gjatë një konference për medie, ditën e mërkurë, ka theksuar se platforma për dialogun është bazuar në Kushtetutën e Kosovës.
Megjithatë, ai është shprehur mjaft skeptik për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë.
“Ende gjasat janë shumë më të mëdha që nuk do të ketë marrëveshje, se sa që do të ketë. Ndoshta presidenti Thaçi është më optimist dhe ndoshta di diçka që ne nuk po e dimë”, ka theksuar Ahmeti.
Ai ka thënë se tashmë janë krijuar 6 komisione, të cilat do të punojnë për temat e ndryshme, të cilat do të diskutohen në dialog.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit me bashkëdrejtuesit e Ekipit negociator në dialog me Serbinë, më 1 janar, pati theksuar se tashmë i ka ofruar këtij ekipi një dokument informues mbi dialogun në Bruksel.
“Vetë qëllimi i dialogut dhe negociatave, nënkupton se do të jetë shumëdimensional dhe natyrisht i interesave të përbashkëta të Kosovës dhe të Serbisë, të paqes dhe stabilitetit në rajon, por edhe interesave euroatlantike në Kosovë dhe rajon”, pati thënë Thaçi.
Sidoqoftë, zëvendëskryeministri Limaj ka theksuar se objektivi i Ekipit negociator ka qenë dhe mbetet demonstrimi i vullnetit të Kosovës para partnerëve të saj ndërkombëtarë që në dialog vendi do të jetë serioz dhe se është i gatshëm të marrë obligimet. Sipas tij, Kosova tashmë ua ka dërguar porosinë partnerëve ndërkombëtarë se nëpërmjet negocimit mund të zgjidhen çështjet e hapura me Serbinë.