Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje ka pritur në zyrën e tij një delegacion nga Shtëpia e Bardhë, i kryesuar nga Elizabeth Shwerood-Randall, asistente e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, për Siguri Kombëtare.
Në këtë takim është biseduar për agresionin rus në Ukrainë dhe situatën e re politikë të krijuar.
Siç njofton zyra për media e kryeministrisë, është diskutuar edhe për nevojën për kujdes të shtuar për rajonin.
Kryeministri Kurti ka thënë se Kosova iu është bashkuar sanksioneve evropiane dhe amerikane kundër Rusisë, si dhe ka shprehur gatishmërinë për të pranuar dhe mundësuar kushte pune për 20 gazetarë ukrainas si dhe gatishmëri për strehim të deri 5000 refugjatëve nga Ukraina.
Kurti tutje ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon të mbetet e përkushtuar që të punojë bashkë me aleatët, për të kontribuar për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë rajonale e globale.
Derisa Randall ka shprehur mirënjohjen për ndihmën e ofruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës në çështjen humanitare të strehimit të qytetarëve afganë të shpërngulur nga konflikti në Afganistan si dhe në luftën kundër terrorizmit.
Për këtë çështje, kryeministri Kurti theksoi dimensionin e aleancës dhe partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe tha se Kosova dhe populli i saj janë çdoherë të gatshëm për t’iu përgjigjur thirrjes për ndihmë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për bashkëpunimin e deritanishëm dhe u theksua përkushtimi për harmonizimin e mëtejmë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.