Është nisur sot për në Washington delegacioni i Republikës së Kosovës i cili pritet të marrë pjesë në takimin e 4 shtatorit përballë Serbisë.
Këtë e ka konfirmuar Xhavit Beqiri – Këshilltar i kryeministrit Avdullah Hoti ndërsa thotë se pala kosovare udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës mëngjesin e kësaj të hëne, raporton klankosova.
Kryeministri Avdullah Hoti do të jetë kryesues i këtij delegacioni, ndërsa pjesë e ekipit në tavolinën e dialogut do të jenë edhe disa zyrtarë tjerë të qeverisë.
Bëhet fjalë për dy zëvendëskryeministrat, Driton Selmanajn dhe Albulena Balaj-Halimin, ministrat nga radhët e AAK-së, Selim Selimin dhe Meliza Haradinaj-Stubllën, si dhe ministri i Infrastrukturës Arban Abrashi.
Në delegacion është përfshirë edhe koordinatori Shtetëror, Skender Hyseni dhe shefja e kabinetit të kryeministrit Hoti, Ardita Dushi.