Takimi maratonik ndërmjet PAN-it dhe Listës Serbe ka përfunduar rreth orës 18, pa ndonjë marrëveshje rreth ndarjes së resorëve qeveritarë.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka dalë nga takimi me përfaqësuesit e koalicionit PAN. Ai nuk ka dalë kah hyrja kryesore ku është mbajtur takimi, për të mos u përballur me mediet, raporton Ekonomia Online.
Rakiq ishte në takim me krerët e koalicionit PAN që nga paraditja e sotme.
Në takimin që ka nisur rreth orës 11, është diskutuar për ndarjen e posteve mes PAN-it dhe Listës Serbe. Në takim kanë qenë të pranishëm krerët e PAN-it, ai i PDK-së, Kadri Veseli; i AAK-së, Ramush Haradinaj; dhe ai i Nismës, Fatmir Limaj. duke dalë nga takimi që është mbajtur në hotelin “Swiss Diamond” , që ka pronar Behgjet Pacollit, është parë duke dalë dhe Agim Bahtiri.
Megjithëse zyrtarisht nuk e thotë askush, burime nga takimi thonë se Lista Serbe po këmbëngul që të drejtojë tri ministri, sikur i ishte premtuar në fillim.
Derisa PAN-i është i gatshëm që Listës Serbe t’ia japë Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministrinë e Kthimit dhe të Komuniteteve, si dhe një post të zv.kryeministrit e disa zv.ministra, Rakiq, në takim, ka insistuar që serbët ta drejtojnë dhe Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe të Zhvillimit Rural (MBPZHR). E kjo e fundit i është premtuar Aleancës Kosova e Re të Pacollit.
Në një prononcim për mediet, më herët gjatë ditës, kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj tha se institucionet duhet të krijohen brenda kësaj jave. Ai mohoi të ketë probleme me Listën Serbe.
Edhe kreu i Nismës, Fatmir Limaj, shprehu bindjen se deri të premten do të ketë konstituim të institucioneve.
Sikur Rakiqi, as Bahtiri i AKR-së është larguar nga takimi pa dashur të prononcohet për medie.
“Më vonë i shihni detajet”, ka thënë ai shkurt.