Nënkryetari i Lidhjes Demokratike, Lutfi Haziri, ka pasur sot në mëngjes një takim me të nominuarin e Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti. Takimin, ku sikur thuhet, është biseduar për “përafrim të programit qeverisës”, e ka konfirmuar kreu i LDK-së, Isa Mustafa.
“Sot ka pasur takim mes Lufti Hazirit dhe Albin Kurtit, në mënyrë që të shihen mundësitë e bashkëpunimit. Të shohim programin qeverisës me VV-në dhe nëse pajtohemi në program, jemi të gatshëm të ndërtojmë një qeveri të përbashkët”, tha Mustafa, raporton Ekonomia Online.
“Do të bëjmë përpjekje të konstituohet Kuvendi dhe të themelohet qeveria, kemi nevojë për qeveri të rregullt. Nuk do ta përkrahim asnjë koalicion me PDK-në, ndërsa me Vetëvendosjen jemi të hapur të bashkëpunojmë të shohim anën programore se sa mund ta përshtatim programin”, tha Mustafa.
Ndërsa Lutfi Haziri, tha se bisedat janë fokusuar në përafrimin e politikave e programit të të dy partitive për t’i dhënë vendit institucione sa më shpejt.
Ai ka thënë se janë dy parti më orientime të ndryshme por që beson se do të arrihen të harmonizohet programet për ta bërë qeverinë e re.
“Sot kemi diskutuat temat dhe modalitetet me VV-në. Kjo është takim në vazhdimësi. Ne do të takohemi me VV-në si koalicion LAA”, sqaroi Haziri.
Haziri nuk ka dhënë detaje nëse në kto takime po diskutohen çështja e dosjeve që ka dërguar VV-ja për LDK-në në Prokurori.