Vendimi i Qeverisë së Kosovës për vënien e taksës 100% ndaj produkteve serbe dhe boshnjake është përcjellë me reagime të shumta edhe nga ndërkombëtarët, të cilët, po kërkojnë që ky vendim të kthehet prapa.
Analisti politik, Haki Abazi, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se vendosja e tarifave ndaj një shteti dhe kundërshtari politik është njëra ndër metodat efikase që kanë përdorur shumë shtete tjera.
Sipas Abazit, taksa nuk duhet të stigmatizohet si element prishës i marrëdhënieve me shtetet mike.
“Nuk do të thotë se duhet patjetër stigmatizuar si element prishës i marrëdhënieve me shtetet mike, strategjike për Kosovën megjithatë duhet kuptuar që varësia e Kosovës ndaj këtyre akterëve ndërkombëtar është gjithashtu shumë e madhe e sidomos për shkak të stagnimit të jashtëzakonshëm që ka bërë në shtet ndërtim”, tha Abazi.
Sa i përket thirrjeve ndërkombëtare që të pezullohet taksa për mundësinë e vazhdimit të dialogut, Abazi thotë se deri më tani nuk ka rezultuar asgjë nga dialogu. Sipas tij, ekipi i tanishëm negociator është i panevojshëm dhe nuk e përfaqëson askënd.
“Kemi humbur mbi 10 vite nëpërmjet një dialogu 7-vjeçar i cili nuk ka prodhuar asnjë efekt pozitiv në marrëdhëniet me Serbinë, pas 7 viteve Kosova është plotësisht e mashtruar se ka qenë në një proces që do duhet të përfundonte ciklin e marrëdhënieve jo të mira me Serbinë dhe këtë e forcon edhe më shumë fakti që pas 7 viteve na është dashur të krijojmë një platformë, një grup negociator që prapë është një proces paralel jo kushtetues sepse Kosovës nuk i duhen më grupe negociatore e as platforma”, shtoi Abazi.
Pavarësisht kundërshtimeve që ka Lëvizja Vetëvendosje për qeverisjen aktuale, deputeti i kësaj partie, Salih Zyba, thotë se do të vazhdoj të përkrah vendimin e marrë nga kryeministri për mbajtjen e taksës 100% ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.
Zyba për Ekonomia Online, tha se ekzekutivi duhet të gjej metodat të arsyetoj vendimin e marrë.
“Qeverisja e vendit duhet të gjej metodat të kundërshtoj, të arsyetoj këtë vendosje të taksës sepse kemi të bëjmë me një vend ende agresor sa i përket territorit dhe menaxhimit të Kosovës. LVV i qëndron prapa këtij vendimi të qeverisë, përkundër që kjo qeveri ka shumë gabime, janë evidente shumë shkelje e skandale, sa i përket taksës me qenë se nuk ka studim të mirëfilltë, por ka vetëm një veprim përkundër asaj ne edhe këtë taksë e masë e përkrah Lëvizja sepse nuk ka reciprocitet të plotë që duhet të ishte politik-ekonomik tregtar me Serbinë”, shtoi ai.
Zyba nuk i merr serioze qëndrimet e faktorit ndërkombëtarë për heqjen e taksës. Ai e quan spekulim të pushtetit mundësinë për prishjen e marrëdhënieve të Kosovës me ndërkombëtare.
“Ky është më shumë spekulim i pushtetit që do vazhdoj mënyrën e qeverisjes në vend përndryshe nuk është sepse qëndrimet zyrtare janë serioze prej faktorit ndërkombëtar që vijnë dhe kanë mekanizmat e mjaftueshëm për me kuptu jo me spekulu siç janë bërë në këtë rast subjekti më i madh në qeverisje PDK është bërë zëdhënëse e disa vendeve apo misioneve ndërkombëtare qëndrimet e tyre do jenë përmes qeverisë sepse qeveria e ka vë këtë taksë është përgjegjësi e saj dhe ndonjë masë tjetër”, tha Zyba.
Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, të gjitha zhvillimet janë tregues se vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje të parakohshme.
Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, thotë për Ekonomia Online, se secili duhet të marr përgjegjësitë e veta dhe vendi të dal nga kriza aktuale politike.
“Gjithë kjo përplasje që po bëhet, më mirë është ata me u ulë me marr përsipër përgjegjësinë kushtetuese e kryeministri dhe jo të i gjuhet presidentit prej kornerit, por ti merr përgjegjësitë e veta kushtetuese ose vërtetë të jep dorëheqje të shkojmë në zgjedhje”, u shpreh Gaxherri.
Sipas Gaxherrit, vendit i duhet një Qeveri me legjitimitet qytetarë dhe me shumicën në Kuvendin e Kosovës. Sipas saj, zgjedhjet do t’i zgjidhin të gjitha proceset në të cilat po kalon vendi.
“Ne duhet të shkojmë në zgjedhje, të marrim besimin e qytetarëve të vendit, të ngritëm shumë dyshime për temat që janë ngrit këto ditë që kushtimisht presidenti lëshon deklaratë edhe për ndryshim të kufijve edhe për kontrollim apo korrigjim të kufijve dhe njëkohësisht qëndrimet tjera që janë të kryeministrit dhe kryetarit të kuvendit, prandaj ne duhet të shkojmë në zgjedhje të marrim besimin e sovranit dhe pastaj të kthehemi ta marrim përgjegjësinë, kryeministri duhet ta marr përgjegjësinë e dialogut, nuk ka zgjedhje tjetër”, shtoi Gaxherri.
Përndryshe, taksa ka ndarë në dysh koalicionin qeverisës. Përderisa kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, po kërkon njohjen nga Serbia në këmbim të heqjes së taksës, të tjerët po vlerësojnë se taksa të pezullohet për të mos i prishur raportet me ShBA-në.
Të shumta kanë qenë thirrjet akterëve ndërkombëtarë që taksa e vendosur për Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën të hiqet.