“Skllota” që presidenti Hashim Thaçi ia ka përmendur një ditë më parë kryeministrit Ramush Haradinaj ka krijuar ambient rrëshqitës për koalicionin.
Haradinaj ka paralajmëruar të hënën se kjo javë mund të jetë e fundit për Qeverinë që e drejton, shkruan sot Koha Ditore.
E ka thënë këtë në një intervistë për Syri.net, pak kohë pasi ka kushtëzuar pezullimin e përkohshëm të taksës 100 për qind ndaj importeve serbe, me organizimin e një konference ndërkombëtare në të cilën do të mbërrihej marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë mësymje ai nuk e ka mbështetjen e presidentit Thaçi, ndërkaq kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili drejton subjektin kryesor në koalicionin qeverisës, ka thënë se gjuha kushtëzuese nuk e ndihmon Kosovën.
Opozita e ka nuhatur se Thaçi e Veseli do ta lënë në “lloç” Haradinajn.
Javën e shkuar, kreu i Qeverisë është përballur me trysninë e shtuar të faktorit ndërkombëtar, e veçmas SHBA-së. U është kundërvënë, duke përmendur një kusht. Ndërkaq, të hënën ambasadorëve të QUINT-it dhe përfaqësuesve të BE-së në Kosovë ua ka përcjellë edhe një shkresë, në të cilën e ka elaboruar më shumë kushtin. Detajet mund t’i gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore.