Një taksist është grabitur mbrëmë në rrugë “Xheladin Hana” në Prishtinë nga një person i cili nën kërcënimin e armës ia mori 90 euro.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se taksisti që u grabit është një shofer i kompanisë “AS Taxi” në kryeqytet. Ai ka dhënë deklaratën para hetuesve policorë dhe ka treguar se rasti ndodhi derisa ai ishte në veturë dhe për një moment ka hipur një person, i cili i kërkonte t’ia bëjë të imëta 100 euro.
Duke i besuar “kërkesës” së të dyshuarit, taksisti tentoi ta ndihmojë, por që e pësoi vet. I dyshuari e nxori armën dhe ia ka drejtuar të njëjtit, duke e kapur për dore me forcë.
Në atë moment, të dyshuarit i ka rënë në veturë një fishek nga arma e tij dhe ishte larguar nga vetura me një çadër.
Sipas burimeve, viktima ka deklaruar se nuk e njeh të dyshuarin që e ka grabitur. Rasti është iniciuar si “vjedhje grabitqare”.