Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), Talat Xhaferi prej sot deri të enjten do të qëndrojë në vizitë pune në Rumani dhe në Lituani, i shoqëruar nga deputeti Panço Minov, njofton Portalb.mk.
“Qëllimi i këtyre udhëtimeve është prezenca në aktin e ratifikimit të Protokollit për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO në Parlamentin e Rumanisë, që është paralajmëruar për më 13 mars 2019 dhe në Sejmin e Lituanisë, paralajmëruar për 14 mars 2019, ku edhe do të drejtohet para deputetëve të Sejmit të Lituanisë. Në kuadër të këtyre vizitave të punës, Xhaferi do të ketë edhe takime bilaterale me mikpritësit dhe me përfaqësues tjerë shtetërorë të Rumanisë dhe Lituanisë”, thonë nga Kabineti i Xhaferit.
Ndryshe, protokolli për anëtarësim në NATO është nënshkruar më 6 shkurt në Bruksel, pas zgjidhjes së kontestit me Greqinë për ndryshimin e emrit dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës. Pasi të gjitha vendet anëtare të NATO-s ta ratifikojnë Protokollin në Kuvendet e tyre, Maqedonia e Veriut do të bëhet anëtarja e 30 e NATO-s.