Rilind Hetemi ka shumë ëndrra. Por nëse dy prej tyre arrin t’i realizojë, do të ishte i kënaqur.
Ëndërron debutimin me ekipin e parë të Borussia Dortmundit, klubin ku po zhvillohet si futbollist dhe të përfaqësojë Kosovën, vendin e lindjes së dy prindërve, babait nga Skënderaj dhe nënës nga Drenasi, shkruan sot Koha Ditore.
“Rilindi i ka thënë trajnerit të ekipit U-15 të Gjermanisë se herët apo vonë do të luajë për Kosovën. Kam pasur kontakt me trajnerin U-15 të Kosovës, Gazmend Haliti dhe tani me menaxherin e U-21 të Kosovës, Zgjim Sojevën”, ka treguar babai i talentit të Borussia Dortmundit dhe ekipit U-17 të Gjermanisë, Nexhmedin Hetemi.
Hapat e parë për t’i realizuar këto dy dëshira tashme i ka hedhur futbollisti i lindur në Gjermani.
16-vjeçari javën e shkuar debutoi me gol për 19-vjecarët e Dormundit në “UEFA Youth League”. Shënoi golin e barazimit kundër Monacos (1:1), dy minuta pasi u inkuadrua në fushë. Në fushë u fut në minutën e 77-të, kurse golin e shënoi në minutën e 79-të.