Fajon nuk komenton premtimet për vizat, përmend kushtet që duhet plotësuar

Prishtinë | 09 Qer 2017 | 18:54 | Nga Besa Maliqi

Tanja Fajon, raportuese për liberalizimin e vizave për Kosovën, nuk ka komentuar premtimet e liderëve politik gjatë fushatës zgjedhore se liberalizimi i vizave do të ndodhë brenda tre ose gjashtë muajsh, pas krijimit të qeverisë së re.

Në një përgjigje përmes postës elektronike për EkonomiaOnline, Fajon ka ripërsëritur se heqja e regjimit të vizave është në duart të autoriteteve kosovare.

Shtytja duhet të vijë nga ta, porosit Fajon, duke shtuar se kriteret janë të qarta dhe se institucionet e Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian do të japin mbështetjen e duhur që kjo të ndodh.

“Për momentin është e rëndësishme që Kosova të mbajë zgjedhje të drejta dhe të lira. Por qeveria e re duhet të fillojë punën sa i përket liberalizimit të vizave ditën e parë që merr detyrën. Qytetarët kosovarë, sidomos të rinjtë, meritojnë të udhëtojnë lirshëm”, është shprehur raportuesja për liberalizimin e vizave.

Fajon thotë se me vëmendje është duke ndjekur zhvillimet në Kosovë duke shtuar se pret që udhëheqësit e ri t’u shërbejnë interesave të qytetarëve e jo atyre personale.

“Unë jam duke ndjekur me vëmendje zhvillimet e fushatës zgjedhore në Kosovë. Qytetarët e Kosovës të zgjedhin atë që besojnë se është më i miri për ta dhe çka është më e rëndësishmja, shpresoj që udhëheqësit e rinj do t’u shërbejnë interesave të qytetarëve, duke lënë anash qëllimet e tyre politike”, ka thënë Fajon.

Komisioni Evropian tashmë ka dhënë rekomandimin formal për heqjen e vizave për Kosovën, por me dy kushte shtesë, demarkacioni me Malin e Zi dhe luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit.

Pasi që institucionet e Kosovës të plotësojnë këto kushtet Këshilli i Bashkimit Evropian, ku vendosin ministrat e brendshëm të vendeve anëtare me shumicë të kualifikuar duhet ti thotë po liberalizimit.  Të njejtën duhet ta bëjë edhe edhe Parlamenti Evropian.

Sapo propozimi të miratohet nga Këshilli dhe Parlamenti Evropian, kosovarët me pasaporta biometrike nuk do të kenë më nevojë për viza kur udhëtojnë për qëndrim të shkurtër deri 90 ditë në shtetet anëtare të BE-së (në përjashtim të Irlandës dhe Britanisë së Madhe, si dhe katër vende të asociuara të Shengenit që janë: Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra).

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme