Taravari pas mbylljes së votimeve: Tërmeti nisi sot, dridhja e fundit do jetë më 8 maj

Prishtinë | 24 Pri 2024 | 20:26 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për President të Maqedonisë së Veriut nga radhët e koalicionit “VLEN”, Arben Taravari, ka thënë se “tërmeti nisi sot me pjesëmarrjen masive, por dridhjet e fundit do të jenë më 8 maj kur janë zgjedhjet parlamentare”.

Këto komente, Taravari i ka bërë në një konferencë për media pas mbylljes së të gjitha qendrave të vendvotimeve, ku ka theksuar se “të gjithë komisionerët dhe vëzhguesit tanë janë ata që e kanë në dorë fitoren”.

“Jemi të gjithë këtu de do t’i garantojmë secilit se vota do të jetë e sigurt dhe vullneti demokratik i qytetarit do të shprehet ashtu si duhet. Vota e shqiptarëve nuk duhet të preket”, ka deklaruar Taravari para mediave.

Nga ana tjetër, “Fronti Evropian” është shprehur i bindur në fitoren e kandidatit të tyre për President të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, posaçërisht në kampin shqiptar, pas përfundimit të procesit të votimit për zgjedhjet presidenciale.

Këto pritje në emër të koalicionit i ka bërë Arbër Ademi, deputet i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) – udhëheqëse e “Frontit Evropian” – në një konferencë për media pas mbylljes së vendvotimeve.

“Presim që fitorja të jetë historike me një diferencë të madhe për kandidatin tonë”, tha Ademi.

Nga ky koalicion kanë thënë se kanë pritje që Osmani të kalojë në raundin e dytë.

“Nga të dhënat që i kemi për votimet e diasporës, Bujar Osmani, renditet i dyti… presim që ky vullnet të reflektohet edhe brenda vendit, pasi që të numërohen të gjitha votat”, shtoi Ademi.

Maqedonia e Veriut të mërkurën ka zhvilluar raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Në garë kanë qenë shtatë kandidatë, dy prej tyre shqiptarë.

Bujar Osmani garoi nën siglën e “Frontit Evropian”, i udhëhequr nga lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ndërsa Arben Taravari, ishte i mandatuar nga koalicioni i partive opozitare shqiptare “VLEN”, që kanë mbështetjen edhe të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Mirëpo, duke ditur që shqiptarët nuk janë shumicë në Maqedoni të Veriut, atëherë gjasat që njëri nga ta të kalojë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 8 maj, që do të mbahen së bashku me ato parlamentare, janë tejet të vogla.

Shumë kush, garën e 24 prillit ndërmjet kandidatëve shqiptarë e ka parë si test që partitë politike, përkatësisht “Fronti Evropian” dhe “VLEN” po e bëjnë për zgjedhjet parlamentare.

Dy janë pretendentët kryesorë për të marrë drejtimin e shtetit maqedonas. Stevo Pendarovski (61-vjeçar), nga LSDM-ja, i cili po kërkon një mandat të dytë pesëvjeçar dhe Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE (70-vjeçare), e cila ri-kandidoi kundër Pendarovskit.

Kandidatë të tjerë kanë qenë edhe Stevço Jakimovski, kryetar i komunës së Karposhit – i shpallur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës – Profesoresha e Drejtësisë, Biljana Vankovska, e mandatuar nga e majta ekstreme “Levica” dhe kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski.

Rreth 1.8 milionë qytetarë të Maqedonisë së Veriut të mërkurën kanë pasur të drejtë t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kreun e shtetit.

Këto janë zgjedhjet e shtata presidenciale të këtij shteti, që nga pavarësimi i tij nga Republika Federale e Jugosllavisë, në vitin 1991.

Gjasat janë maksimale që të ketë raund të dytë, i cili mbahet më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. (AP)

Të ngjashme