Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, e sheh mesfushorin e përfaqësueses së Kosovës, Valon Berisha, si lojtar të kompletuar.
Tare të premten e ka prezantuar Berishën në një konferencë shtypi. Ai ka thënë se Berisha do të ketë rol të rëndësishëm te skuadra e Lazios.
Berisha, 25-vjeçar, te Lazio u transferua muajin e kaluar nga skuadra e Red Bull Salzburgut dhe ka firmosur kontratë deri në verën e vitit 2023.
“Është kënaqësi e madhe ta prezantoj Valon Berishën. Nuk e fsheh admirimin që kam për të. Ai është një luftëtar, një lojtar që nuk heq dorë kurrë. Një person i rëndësishëm brenda dhe jashtë fushës. Ishte dëshira ime ta kisha në ekip dhe jam i kënaqur që gjithçka shkoi mirë rreth transferimit të tij. Unë mendoj se ai do ta nderojë këtë fanellë”, ka thënë Tare gjatë prezantimit të Berishës.