Pastori i Kishës Protestante, Driton Krasniqi, që nga paslufta troket herë me një derë e herë në një tjetër për të kërkuar një copë tokë në Komunën e Prishtinës për varrezat e besimtarëve të këtij konfeksioni.
Që nga viti 2005 kanë nisur t’i protokolohen kërkesat, derisa pas shumë zhargitjeve dhe refuzimeve Komuna e Prishtinës më 2 dhjetor të vitit 2016 kalon në Asamblenë Komunale vendimin për caktimin e lokacionit për varrezat e komunitetit protestant.
Pak ditë më vonë, më 27 dhjetor 2016, ky vendim hidhet poshtë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në mungesë të planifikimit hapësinor në nivel lokal.
“Vendimi është në kundërshtim me dokumentet e planifikimit hapësinor në nivel lokal në fuqi të miratuar nga Kuvendi i Komunës si Plani Zhvillimor Komunal dhe Plani Zhvillimor Urban”, shkruan në vendimin e kësaj Ministrie sipas së cilëve vendimi i Komunës së Prishtinës është në kundërshtim me Ligjin për Planifikimin Hapësinor dhe rekomandon që vendimi të kthehet në rishqyrtim.
Pastori Krasniqi ankohet se kërkesa është neglizhuar shumë gjatë edhe në nivelin lokal, dhe se nuk është krijuar infrastrukturë ligjore për të mundësuar hapësirën për varrezat e tyre.
“Kërkesat tona për varreza janë që nga koha e pasluftës dhe janë përsëritur vazhdimisht. Jemi takuar me përfaqësues të të gjitha administratave komunale. Së fundmi jemi takuar edhe me kryetarin dhe qeverisjen komunale të z. Shpend Ahmetit. Fillimisht kemi marrë përgjigje negative. Janë dashur plot katër vjet takime për të ardhur deri tek pika ku kërkesa jonë të hyjë në procedurë për t’u trajtuar nga Asambleja Komunale”, tregon Krasniqi (Zeri)