Tash e 4 muaj një pjesë e rrugës nacionale Mitrovicë- Prishtinë ka mbetur në gjendje të rëndë.
Rruga ishte shembur shkaku i gërryerjes afër saj nga një kompani private, por deri tash askush nuk ka intervenuar për rregullimin e saj.
Krejt çka është bërë deri tash është ndryshimi i lëvizjes se automjeteve nga policia.
“Njësitë Policore nga Komunikacioni Rrugor, gjatë patrullimit, me datë 31.12.2020, kanë vërejtur plasaritjet e rrugës në vendin ku degëzohet dalja e rrugës nga autostrada me rrugën nacionale Mitrovicë- Prishtinë. Njësia Rajonale e komunikacionit rrugor i ka marrë masat për të siguruar këtë pjesë të rrugës, që të mos vije deri të ndonjë aksident rrugor. Njësia Rajonale e policisë rrugore, së bashku me drejtorin e rrugëve, ka ndryshuar lëvizjen e automjeteve të cilat vijnë nga autostrada, duke i orientuar në drejtim të fshatit Mazgit (drejtimi Prishtinë-Mitrovicë), dhe në rreth rrotullimin që gjendet në fshatin Mazgit (afër Tyrbes së Sulltan Muratit), të vazhdohet në drejtim të Prishtinës. Dëmtimi i kësaj rruge ka ndodhur si pasojë e punimeve të cilat janë kryer nga një kompani private, në një pronë private pranë rrugës nacionale Mitrovicë-Prishtinë, përkatësisht në krahun e djathtë të rrugës”, kanë thënë nga Policia.
Në Ministrinë e Infrastrukturës kanë thënë se ky problem do të zgjidhet shumë shpejt.
“Shembja ka filluar që nga data 31.12.2020, bazuar në vlerësimin e komisionit të formuar nga MI-ja, shembja ka ndodhur për shkak të ndërhyrjes së palëve të treta duke bërë gërmimin e skarpates nga ana e poshtme e rrugës. MI-ja ka bërë ndërprerjen e qarkullimit të trafikut për shkaqe sigurie si masë e parë dhe tani janë duke u bërë analizat laboratorike për të arritur në përfundim se si të veprohet më tutje. Pas raportit, do të merren të gjitha masat e përcaktuara me ligj ndaj ndonjë pale të tretë eventuale si dhe masat për sanimin e rrugës. Ne do të intervenojmë gjatë këtyre ditëve që rrugën ta bëjmë të kalueshme për automjete përmes ndonjë kontrate kornizë për mirëmbajtje”, kanë thënë nga Divizioni për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Infrastrukturës.
Por dekani i Fakulteti i Ndërtimtarisë, Florim Grajçefci, thotë se për ndërtimin e rrugëve duhet të respektohen standardët për kategorinë e objekteve.
“Ne i bëjmë thirrje te profesionistët aty ku i bëjnë projektet, aty ku i bëjnë ndërtimet t’i respektojnë standardët dhe sipas atyre standardëve këto defekte paraqiten në minimum”, deklaroi Florim Grajçevci, dekan i Fakultetit të Ndërtimtarisë në UP.
E Rifat Krasniqi, njohës i komunikacionit rrugor ka thënë se mos sinjalizimi në çdo rrugë “ngufat” komunikacionin dhe mund të shkaktojë rrezik në aksidente.
“Është e vërtetë për shqetësimin e qytetareve që ka mungesë të sinjalizimit qoftë horizontal, vertikal të qarkullimit të komunikacionit në rrugën Prishtinë-Mitrovicë. Është edhe një fakt që ka ndodhur një shembje që e ka blloku edhe rrugën dhe varianti i dytë për kyçje në autoudhë ka mungesë të sinjalizimit. Nëse nuk kemi sinjalizim të duhur vetë fakti që sinjalizimi e rregullon qarkullimin e komunikacionit ndodh të kemi çrregullim në qarkullim i cili vije deri të më e keqja aksidente të ndryshme”, është shprehur Rifat Krasniqi.
Ata apelojnë që pjesa e dëmtuar e magjistrales Prishtinë-Mitrovicë të riparohet në kohë.