Të akuzuarit për krime lufte, Ramadan Morina, i vazhdohet paraburgimi për dy muaj

Prishtinë | 12 Jan 2026 | 15:43 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar paraburgimin të akuzuarit për krime lufte, Ramadan Morina. 

Kërkesën e Prokurorisë për vazhdim të masës së paraburgimit ndaj Morinës Themelorja e ka aprovuar më 31 dhjetor. 

“Pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit R.M. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile, gjyqtari i procedurës paraprake pas shqyrtimit të kërkesës, me datë 30.12.2025 përmes Aktvendimit ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që të njëjtit iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj”, ka thënë zëdhënësja e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gashi. 

Avokati i Morinës, Arianit Koci, pati kërkuat atij t’i ndryshohet masa e sigurisë. 

Edhe avokati Shpend Gashi, i cili e pati zëvendësuar Kocin në seancën e shqyrtimit fillestar, pati kërkuar që i akuzuari të lirohet nga paraburgimi. 

Këtë propozim e pati kundërshtuar, prokurori special Ilir Morina, i cili i pat propozuar Gjykatës që të pandehurit t’i vazhdohet masa e paraburgimit. 

Në seancën e mbajtur më 30 dhjetor, Morina, është deklaruar i pafajshëm, lidhur me akuzat për krime lufte. Sipas aktakuzës, i pandehuri Morina më 31 mars 1999, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë.

Morina akuzohet se kreu veprën penale “Krime Lufte kundër popullatës civile”.

Sipas Prokurorisë Speciale, Morina ngarkohet se gjatë periudhës 1998-99, në kohën e luftës në fshatin Burim të Malishevës, na bashkëkryerje me persona të tjerë, ka marrë pjesë në vrasje, dëbime, arrestime e keqtrajtime fizike”.

Të ngjashme