Të akuzuarit për vrasjen e rreshterit Muhamet Lika deklarohen të pafajshëm

Prishtinë | 12 Shk 2026 | 09:53 | Nga Gzim Mujaj

Pesë të akuzuarit për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, janë deklaruar të pafajshëm për veprat penale për të cilat ngarkohen, gjatë seancës gjyqësore për këtë rast, raporton Ekonomia Online.

Prokuroria paraqiti aktakuzën duke përshkruar se vrasja dyshohet të jetë kryer me planifikim dhe bashkëveprim ndërmjet të pandehurve dhe një të mituri, ndërsa një i pandehur tjetër dyshohet se ka ndihmuar në fshehjen dhe arratisjen e autorit pas kryerjes së krimit.

Prokurori i rastit, Ismet Rrahmani, tha se të pandehurit Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika dhe Shkëlqim Kuka, më 1 prill 2025 në Kaçanik rreth orës 23:00, në bashkëveprim me të miturin Rejhan Bela, dyshohet se me dashje dhe përgatitje paraprake e kanë privuar nga jeta rreshterin Muhamet Lika, duke e përcjellë nga përfundimi i orarit të punës deri te hyrja e banesës së tij, ku i mituri dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës.

Ai shtoi se sipas aktakuzës, të dyshuarit kishin vëzhguar lëvizjet e viktimës përmes koordinimit dhe përdorimit të veturave, ndërsa pas kryerjes së vrasjes i mituri dyshohet se është larguar nga vendi i ngjarjes me ndihmën e njërit prej të pandehurve.

Prokurori gjithashtu deklaroi se i pandehuri Diamant Gashi dyshohet se ka ndihmuar të miturin pas kryerjes së veprës penale, duke e strehuar në shtëpinë e tij, duke i ofruar ndihmë për t’u fshehur dhe duke ndërmarrë veprime për të shmangur arrestimin, veprime që sipas tij përbëjnë veprën penale të dhënies së ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale sipas Kodit Penal të Kosovës.

“Te pandehurit Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkelqim Kuka Me datë 01 Prill 2025, rreth orës 23:00h, në Kaçanik, në rrugën “Idriz Seferi”, përkatësisht në katin e II-të të hyrjes së ndërtesës, në bashkëveprim me të miturin Rejhan Bela, me dashje dhe përgatitje paraprake kanë privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin e policor, rreshter Muhamet Lika, në atë mënyrë që deri sa viktima ka përfunduar orarin e punës së detyrës zyrtare dhe gjatë rrugës për në banesën e tij, ishte përcjellë në vazhdimësi nga të pandehurit dhe i mituri deri te hyrja e banesës së tij, ku i pandehuri Haki Bela pasi që kishte qëndruar në lokalin e tij “Aksa”, prej aty niset për në drejtim të Stacionit Policor, dhe e përcjellë viktimën Muhamet Lika, prej momentit të daljes nga Stacioni Policor e pastaj viktima vazhdon në drejtim të banesës ndërsa i pandehuri Haki vazhdon në drejtim të rrugës “UÇK” për 20 metra dhe më pastaj pas 30 sekondave kthehet në drejtim të viktimës, në vazhdim të pandehurit Shkëlqim Kuka dhe Edmond Lika në rrugë vëzhgojnë rrugëtimin e viktimës, pasi që kishin parkuar veturën “Opel Astra ”, ngjyrë e bardhë me targa 05-518-GH, me vozitës Shkëlqim Kuka dhe pasagjer Edmond Lika, afër stacionit policor dhe në momentin që kalon viktima për rreth veturës në drejtim të banesës së tij, nga vetura del pasagjeri Edmon Lika dhe hip në veturën e tij “Golf 2”, ngjyrë e kaltër duke vozitur të njëjtën me drita të fikura dhe duke vazhduar në rrugën një drejtimesh duke përcjellë viktimën në drejtim kah ka lëvizur, ndërsa i pandehuri Shkëlqim me veturën “Opel Astra” nga ky moment merr veprimin dhe vazhdon duke shkuar afër vendit të ngjarjes, viktima vazhdon rrugëtimin pastaj në rrugën “Idriz Seferi” afër hyrjes së banesës së tij i mituri Rejhan Bela vazhdon duke e përcjellë viktimën mbrapa, i cili hynë në hyrjen e banesës së tij dhe menjëherë pas viktimës i mituri Rejhan Bela hynë pas tij në hyrjen e objektit të banesës dhe me të takuar të ndjerin ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri, të kalibrit 9.19 mm, dhe kthehet me vrap mbrapa nga kishte ardhur pas kryerjes së vrasjes duke ikur në drejtim të lokalit “”Dukagjini” ku bashkohet me të pandehurin Rilind Murati, i cili kishte qenë duke e pritur dhe së bashku me vrap largohen përmes rrugës “Mejdi Dalloshi” ndërsa deri sa ishin duke vrapuar i mituri dhe i pandehuri dëgjohet një zë duke thënë “Bravo ik”, (kamerat e sigurisë “Dukagjini”, ora 22:59:31), paraprakisht të pandehurit kanë lëvizur në drejtim të lokalit bilardo “Te Lindi”, ndërsa rreth një orë para kryerjes së vrasjes nga kamerat e sigurisë të marketit “Besa”, ora 21:54, vërehen lëvizjet e të pandehurve Rilind Murati dhe Vatan Çaka së bashku me të miturin Rejhan Bela duke vëzhguar dhe koordinuar në mes vete, ndërsa pas vrasjes i pandehuri Haki Bela rreth 14 minuta mbrapa vrasjes vjen në vendin e ngjarjes dhe pas 2 minutave largohet prej aty, pamje nga (kamerat e sigurisë te lokali “Te Luzha”)”.

“I pandehuri Diamant Gashi, me datën 01 prill 2025 rreth orës 23:00, e ka ndihmuar të miturin Rejhan Bela të arratiset, pas kryerjes së veprës penale të Vrasjes së Rëndë, në atë mënyrë që paraprakisht pasi që të pandehurit e lartcekur sikurse në dispozitivin e I-rë të aktakuzës ne bashkëkryerje, duke planifikuar, përcjellë lëvizjen e viktimës rreshter Muhame Lika, me date 01.04.2025 rreth orës 23:00 i mituri Rejhan Bela ka kryer veprën e vrasjes ne bashkëkryerje, duke u ndihmuar edhe nga te pandehurit Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka ndërsa i pandehuri Diamant Gashi duk e strehuar ne shtëpinë e tij te miturin Rejhan Bela e ka ndihmuar duke i ofruar ndihmë në ushqim dhe gjana tjera dhe në shmangien e zbulimit dhe arrestimit përmes fshehjes në shtëpinë e tij dhe fshehjes së mjeteve dhe provave duke e strehuar dhe ndihmuar të njëjtin dhe ndërmarrjen e veprime për pengimin e arrestimit dhe duke i ndihmuar në komunikim me të pandehurin Haki Bela vëllain e të miturit. Me të cilën ka kryer veprën penale Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 380 par.3 lidhur me par.2 të KPRK-së”, tha ai.

Të ngjashme