Apeli ndryshon masën nga ‘arrest në burg’ në ‘detyrim paraqitjeje’ për Nevjana Isufin, e akuzuar për falsifikim dokumentesh në studion e saj private, si dhe për specialistin e ALUIZNI-t, Albrend Qetka, i akuzuar për ”shpërdorim detyre”. Ndërkohë për 6 personat e tjerë të arrestuar pas tërmetit të 26 nëntorit, Apeli la në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë Durrës.Pak ditë më parë gjykata e Durrësit zëvendësoi edhe masën ‘arrest në burg’ me ‘detyrim paraqitje’ për ish-drejtorin e Kavalishencës së Ministrisë së Brendshme, Ahmet Doda, raporton Tch, transmeton Klan Kosova.
Apeli gjithashtu vendosi se arrestimi i Avdulla Osmanit, pronar i ish- hotel Tropikal, që ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e traumës, ishte i paligjshëm, por nuk e ndryshoi masën e sigurisë për të.
Të akuzuarit janë vendosur nën hetim për shembjen e disa godinave në Durrës, ku humbën jetën disa persona, pasi dyshohet se nuk janë respektuar kodet e ndërtimit.