Vlera supreme kombëtare , në rrezik : Realisht , pjesa nga e ka prejardhjen , ku jeton , ku vepron duke sakrifikuar çdo gjë , Mitrovica ka dhënë , në vazhdimësi , figura të ndritura kombëtare dhe njerëzore që e kanë shkruar historinë dhe pa të cilët kombi shqiptar dikur dhe kombi kosovar sot nuk do ta kishin asnjë kuptim. Nga Mitrovica kanë prejardhjen Isa Boletini ( ndonëse rrënjët i kishte në Isniq ) , Aziz Zhilivoda , Xhafer Deva , Hasan Prishtina ishte aty afër , Ukshin Kovaçiqa dhe shumë të tjerë. Nga Mitrovica është edhe Nexhmedin Spahiu , njëri ndër baballarët e kombit inekzistent kosovar . Po nga ky qytet është edhe Halit Barani që , në fushën e të drejtave të njeriut dhe atyre kombëtare ka kontribuar më shumë se të gjitha institucionet komunale të qytetit të ndarë dhe të cilin po bënë përpjekje ta bashkojë , edhe me çmimin e jetës , kryepersonazhi im të cilit nuk i vijë as edhe te gishti i vogël. Nga kjo anë përkatësisht nga Kovaçica e Shalës së Bajgorës e kam prejardhjen edhe unë e që nuk e meritoj të jem në grupin të të “ madhërishmëve “ prandaj e lashë veten në fund të listës apo , më mirë të them në fund të pusit. Kryepersonazhi im është një politikan , par exellance , me përgatitje dhe përvojë të madhe politike sikur që është edhe artist i gjithanshëm , shumëdimensional , i madhi , i papërsëritshmi dhe legjendari , Agim Bahtiri i cili për dy mandate , me sukses të jashtëzakonshëm po e udhëheq qytetin më problematikë në Afrikë , Mitrovicën. Me maivitetin tim pata menduar se Hasan Prishtina është shembull i papërsëritshëm i një politikani ideal dhe idealist shqiptar i cili në veprimtarinë e tij bashkëdyzonte dy aktivitete që nuk i kishte asnjë politikan tjetër shqiptar ; akti vitetin politik dhe ate ushtarak. Ate që e tha në Parlamentin turk e bëri realitet sepse u bë udhëheqësi kryesorë i kryengritjes shqiptare për liri , pavarësi dhe bashkim kombëtar. Pata menduar , naiv siç jam se i vetmi politikan shqiptar që mund ta vazhdojë veprën e Hasan Prishtinës është i Pavdekshmi Bacë Adem Demaçi por u mashtrova si shumë herë në vlerësimin tim. Albin Kurti botërisht deklaroi se Agim Bahtiri është Hasan Prishtina i ditëve tona dhe shpresa për bashkimin e Mitrovicës dhe të Kosovës . Albini kishte të drejtë sepse si Agimi nuk ka tjetër. E la jetën super luksoze në Holandë dhe me mallin e përhershëm dhe të përditshëm për familjen erdhi për t’i shërbyer qytetarëve të Mitrovicës dhe të Kosovës që i kishin humbur shpresat për një të ardhme të bashkuar të qytetit të ndarë . Për këtë arsye e zgjodhi partinë më kombëtare në Kosovë , Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe kryepatriotin e Kosovës , Behgjet Pacollin , në tekstin e mëtutjeshëm , Gjet Macolli. E fshiu dominimin e PDK-së në këtë qytet duke e bërë humbësin e kësaj partie , së pari zministër e pastaj edhe ambasador. E fshiu edhe Valdeten sikur të ishte flutur. E sfidoi shumë Kadrinë dhe i shpalli luftë të hapur SHIk-ut por jo edhe UDB-së dhe BIA-së. Pasi u shkretuan fushat dhe toka pjellore , e lancoi Kosovën si prodhuesin më të madh të këpurdhave në Lagjen Kroi i Vitakut. Unë mundohem të jem patriot dhe e adhuroj folklorin e mirëfilltë ku Agim bahtiri është mbret si dikur Shaban Bajramoviq , me një dhëmbë floriri. Agi i ka bërë flokët me gjel dh çiçkovo ulje , me të cilën e furnizon Goran Rakiqi , nga Mitrovica e Aleksandar Vuçiqit . Agim Bahtiri ishte kundër që Mitrovica të ndahej dhe shumë herë e ka kërcënuar bashkësinë ndërkombëtare sikur edhe vet Rakiqin me të cilin , edhe fotografohej por edhe fliste në telefon. Në aspektin estetik , Agim Bahtiri është Monika Belluqi përballë Rakiqit , në aspektin politik , intelektual dhe profesional është Winston Churchill apo Bill Gates. Në aspektin e burrërisë dhe trimërisë është Skenderbe përballë një pitbulliqi nga Mitrovica e veriut. Kurrë nuk e pata nderin dhe privilegjin ta takoj live Agim Bahtirin por e pata dëgjaur me pasionin më të madh paraqitjen si këngëtar duke luajtur me sharki dhe duke i kënduar këngët patriotike që , edhe të vdekurin e bëjnë të gjallë . Përveç Kadrisë dhe Hashimit , Agimi ia ka treguar muskujt edhe Gjet Macollit , kuptohet , nga distanca.
Realisht , angazhimi i tij i përhershëm e që bartë rreziqe kolosale ishte lirimi i Urës mbi lumin Ibër për të cilën po gënjejnë edhe Rakiqi , si eksponent i popullit që gënjeshtrën e ka të kodifikuar gjenetikisht si virtyt dhe art sikur edhe këtyre burokratëve të BE që mendojnë se e mashtrojnë gjeniun Bahtiri duke e shetitur nëpër Bruksel. Tash , Hashim Thaçi për të shkuar në Ujman e angazhoi gjysmën e Policisë së Kosovës , të FSK-së dhe të AKI –së sikur edhe forcat e nATO-s dhe Bundesverit kurse Agim Bahtiri shkoi fikalli vetëm , i shoqëruar vetëm nga Fidani i T7. Krahasoni ju lutem këto dy vizita pastaj nuk e keni vështirë ta gjeni heroin , patriotin dhe sakrifikuesin . Ku ishin Vuçiqi dhe ku ishte Rakiqi në atë kohë si dhe ai varrtari Vulin sikur edhe ai që pëshurrej në brekë kur u arrestua nga Policia e Kosovës , Marko Gjuriq ? Ishin në birën e miut me çmim 300 groshë!
Agimi është i vendosur ta bashkojë Mitrovicën duke e hapur Urën mbi Lumin Ibër. Ai nuk ka ushtri , nuk ka polici por e ka Shaqirën nga Kolumbia e cila , pa asnjë dyshim , me të dëgjuar për Agimin do ta lë edhe Piken vetëm për të kontribuar për bashkimin e qytetit të ndarë të Mitrovicës. Agimi po thotë se është edhe një këngëtare tjetër që do i dal në ndihmë Shaqirës nga Kolumbia por se nuk e zbulon identitetin e saj. Lehtësisht mund të jetë Xhenifer Lopez sepse , për t’i hyrë kësaj pune me shumë rreziqe duhet t’i kesh bythë e mëdhaja e Xhenifer i plotëson këto kushte. Nëse ka nevojë për Tomahawk atëherë i propozoj Linda Morinën sepse edhe ajo është artiste e spikatur dhe këngëtare me nam. Apo Çiljetën e cila , megjithatë e ka zvogëluar kapacitetin goditës. Për mendimin tim Agimi është treguar shumë ei mençur sepse , në përpjekje për bashkim të Mitrovicës po mbështetet vetëm në femra. Edhe Gadafi , personelin e sigurisë dhe goditës e kishte të gjinisë femërore dhe fundin e kishte jo fort të mirë pikërisht pse e humbi këtë përkrahje.
Një urti popullore thotë se : “ uji fle , armiku nuk fle ..” dhe kështu ka vepruar dhe po vepron edhe Serbia. Ajo nuk po e kërcënon Thaçin , Veselin dhe Hardinajn sepse e di që nuk paraqesin asnjë rrezik. Serbia po e kërcënon me jetë vetëm Agim Bahtirin , hë për hë , për shkak se ka vendosur ta bashkojë Mitrovicën duke e liruar Urën mbi Ibër. Me gjasë , pas Agimit ka shumë mundësi të kërcënohet me jetë edhe Gjet Macolli sepse paraqet rrezik të madh për Serbinë.
Agim Bahtiri e informoi kombin shqiptarë kudo që jeton , brenda dhe në diasporë se është kërcënuar me jetë , në gjuhën serbe për shkak të angazhimit të tij politik dhe kombëtar. Është kërcënuar me postë elektronike e që është krim kibernetik. Në rastin konkret , derisa Policia e Kosovës të dali me një rezultat jam i prirur të besoj se dikush me Agimin qartazi ka luajtur koqe e që Agimi po e kapitalizon politikisht. Po të ishte i shkruar ky kërcënim me dorë , lehtësusisht do të zbulohej kërcënuesi duke i krahasuar shkronjat dhe teknikën e shkrimit.
Nuk meriton që Agim Bahtirin ta mbrojë vetëm Gjet Macolli por duhet të bëhemi të gjithë bashkë , të bëhemi mburojë e gjallë e kësaj vlere njerëzore , kombëtare , politike , morale , kulturore etj. Mos pritni që Agim Bahtirin ta mbrojë Hashim Thaçi i cili nuk është në gjendje ta bëjë dallimin midis Shaqirës nga Kolumbia dhe sharkisë që aq mrekullisht e luan heroi ynë Agim bahtiri për të cilin duhet të bëjmë të pamundurën që të mos i mugojë as edhe një qime e vetme e b…thës e lëre më koka ! Jemi para një sprove të madhe , të sigurisë dhe të interesit madhor kombëtar , mbrojtja e Agimit pa të cilin nuk do të kishin agim të asgjëje por vetëm perndim të gjithçkaje. Të gjithë të përbashkuar , në me krye me Albinin në mbrojtje të Agim Bahtirit , ikonës dhe kuptimit të mbijetesës kombëtare. Unë ofrohem vullnetarë i përhershëm për këtë mbrojtje , mundësisht të mos jem në radhët e para !