40 të dënuar dhe dhjetëra të paraburgosur në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali e kanë përfunduar grevën e urisë. Ata kishin hyrë dje në grevë urie, si shenjë pakënaqësie ndaj refuzimit të kërkesave të tyre për lirim të menjëhershëm apo lirim të përkohshëm.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Florent Gashi.
“Grevën e urisë e kanë përfunduar mbrëmë. Të burgosurit kanë hequr dorë nga greva, sepse kërkesat e tyre janë adresuar te institucionet kompetente”.
Ndryshe, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dje ka njoftuar se 40 të dënuar dhe dhjetëra të paraburgosur (janë solidarizuar me të dënuarit), nga data 20 prill 2020 kanë hyrë në grevë urie duke e refuzuar marrjen e ushqimit si revoltë dhe shprehje të pakënaqësisë që është refuzuar lirimi i tyre, qoftë i menjëhershëm apo edhe i përkohshëm.
“Revolten e shprehin kundër Qeverisë së Kosovës dhe Presidentit të Kosovës që nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për kërkesat e tyre apo kërkesat e OJQ-ve monitoruese dhe të cilat e kanë bërë një kërkesë të tillë’, thuhej në komunikatën e KMDLNJ’së.
Të burgosurit kanë deklaruar se në kohë të pandemisë “po u shkelen të drejtat e njeriut që u takojnë si persona të privuar nga liria duke marrë shembull shtetet fqinje dhe ato evropiane që kanë ofruar shumë opsione për të burgosurit kurse Kosova nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim”.