Të dënuarit në Burgun e Smrekonicës i kanë nisur një letër me disa kërkesa Qeverisë dhe Presidencës.
Në letrën që ka siguruar koha, të dënuarit janë ankuar në lidhje me Panelin për Lirim me Kusht, pastaj për mosaplikimin e Ligjit për Amnisti, për beneficionet e tyre që nuk dinë se cilat janë dhe për mospërfitimin e mjaftueshëm nga falja e presidentit.
Për Panelin për lirim me kusht, të burgosurit kanë shkruar se shpesh nuk vepron drejt.
“Paneli për Lirim me Kusht ani pse organ i pavarur në vendimmarrje, shpesh nuk vepron drejtë ndaj të burgosurve të cilët i plotësojnë kriteret për lirim me kusht dhe përdorë standarde të dyfishta duke refuzuar kërkesat e të dënuarve për një kohë të caktuar, refuzime të cilat kanë arsyetime shabllone edhe pse raportet e profesionistëve të Insitucionit Korrektues tregojnë qartë se i dënuari ka arritur të risocializohet dhe ka arritur qëllimin e dënimit”, thuhet në ankesën e të burgosurve.
Ata janë shprehur se nga fillimi i pandemisë, janë kategoria më e diskriminuar në vend.
“Jemi e vetmja kategori për problemet e së cilës nuk diskutohet në media, nuk diskutohet në debate televizive, e ankesat e së cilës kategori as nuk merren parasysh”, thuhet në letër.
Të burgosurit shpresojnë që kërkesat e tyre të merren parasysh nga krerët shtetërorë.
“Shpresojmë se neve si persona të privuar nga liria, do të na jepet një mundësia që të përfitojmë nga të lartpërmendurat (Lirimi me kusht, falja e Presidentit apo Amnistia) dhe presim që edhe ju të kontribuoni që procesi i risocializimit tonë të jetë i suksesshëm dhe integrimi ynë në shoqëri të kthehet në proces normal”, thuhet në letër.