Tre pjesëtarë të familjes Millovanoviq kanë deklaruar gjatë marrjes në pyetje në Prokurorinë për Kerim të Organizyar në Beograd se nga shtëpia e tyre në Kosovë nuk i kishte përzënë Nehat Thaçi.
Këtë e bëri të ditur avokati i Thaçit, Sead Spahiq, i cili ka marrë pjesë gjatë intervistimit të klientit të tij, transmeton Koha.net raportimin e sotshëm të Tanjugut.
Thaçi, drejtor i Policisë Rajonale të Kosovës në Mitrovicë, ndodhet në paraburgim në Burgun e Qarkut në Beograd, ndërsa Prokuroria për Krim të Organizuar po zhvillon hetime ndaj tij për vepër penale terrorizëm, përkatësisht se ai me disa persona të tjerë më 1999 kishte kërcënuar familjen Millolovanoviq, e cila për pasojë kishte braktisur shtëpinë e vet në Lipjan më 1999.
Sipas fjalëve të mbrojtësit të tij, viktimat e asaj ngjarjeje të cilën e përshkruan prokuroria gjatë dëshmimit nuk kanë pasur kurrfarë mëdyshjeje, por drejtpërdrejt kanë thënë se “Nuk është ai”.
“Ky është një fakt i drejtpërdrejtë se Nehat Thaçi nuk e ka kryer veprën që i ngarkohet dhe ne menjëherë pas marrjes në pyetje të dëshmitarëve kemi kërkuar të lirohet nga paraburgimi”, citohet të ketë thënë avokati Spahiq, transmeton Koha.net.
Paraburgimi Thaçit skadon më 28 tetor, kur më së voni gjykata sërish do të marrë vendim nëse do t’ia vazhdojë paraburgimin, ose t’ia zëvendësojë me ndonjë masë tjetër, ose ta lirojë.
Thaçi është në paraburgim që nga 28 shtator, kur u arrestua në bazë të vendimit të Gjykatës së Lartë në Nish për kapjen e tij, nga viti 2010.
Pastaj ai u transferua në Beograd, më 10 tetor, ku u mor në pyetje në Prokurorinë për Krim të Organizuar, e cila ka hapur procedurën kundër tij për veprën penale terrorizëm, gjë që ai gjatë intervistimit e ka hedhur poshtë.