Të dhënat e vetme zyrtare mbi cilësinë e ajrit në Kosovë janë ato të prezantuara nga MMPH-ja

Prishtinë | 18 Dhj 2019 | 14:59 | Nga Ekonomia Online

Në lidhje me raportimit e fundit mbi cilësinë e ajrit, të bërë nga mekanizma jo institucional në Kosovë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, njofton opinionin publik se të vetmet të dhëna zyrtare mbi cilësinë e ajrit në Kosovë janë ato të prezantuara nga MMPH dhe për këtë më poshtë keni një sqarim të detajuar.  

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, përmes Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës dhe Inspektoratit të Mjedisit  ka përcjellë me vëmendje të gjitha zhvillimet lidhur me raportimet e mediave për cilësinë e ajrit të cilat i referohen burimeve të ndryshme, që nuk janë të autorizuara për të monitoruara cilësinë e ajrit në Kosovë.

Janë analizuar po ashtu të dhënat e publikuara përmes këtyre platformave të ndryshme si ueb aplikacione dhe aplikacione për telefona smart, dhe për më tepër është analizuar shtrirja e këtyre rrjeteve për monitorim, pajisjet monitoruese, treguesit e monitoruar, baza ligjore dhe aspektet tjera që ndërlidhen me këtë çështje.

Si rezultat i këtij angazhimi, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë vlerëson se:

·         Sipas nenit 33 të Ligjit për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja (Nr.03/160), monitorimi i cilësisë së ajrit bëhet nga Ministria.

·         Informimi i publikut për cilësinë e ajrit është i rregulluar sipas nenit 25 dhe nenit 26 të Ligjit për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja, ku përcaktohet që informimi i publikut sigurohet nga Ministria, ndërsa që treguesit që duhet monitoruar janë të përcaktuar në nenin 3 të këtij ligji.

·         Normat e cilësisë së ajrit janë të përcaktuar me Udhëzimin Administrativ Nr.02/2011, kurse funksioni dhe shtrirja e rrjetit të monitorimit të cilësisë së ajrit është i rregulluar sipas Udhëzimit Administrativ (Nr.15/2010) për kriteret për përcaktimin e pikave monitoruese për cilësinë e ajrit, numrin dhe shpeshtësinë e matjeve, klasifikimit e ndotësve që monitorohen, metodologjinë e punës, formën dhe kohën e raportimit të të dhënave.

 Prandaj, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, konstaton se:

·         Monitorimi aktual i cilësisë së ajrit nga disa organizata dhe kompani, nuk  është në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja;

·         Treguesit e monitoruar, informimi i publikut dhe raportimi i të dhënave nuk është në përputhje me kërkesat e Ligjin për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja dhe me aktet tjera ligjore përkatëse.

·         Shtrirja e rrjetit nuk është në përputhje me kërkesat e Udhëzimit Administrativ Nr.15/2010.

·         Normat e zbatuara për monitorimin e cilësisë së ajrit nuk janë në linjë me Udhëzimin Administrativ Nr. 02/2011.

·         Pajisjet që përdoren për monitorim nuk janë të besueshme dhe nuk i plotësojnë standardet e kërkuara sipas udhëzimeve dhe ligjeve ne fuqi dhe sipas normatives së BE për matjen e parametrave përkatës.

Bazuar në këto gjetje MMPH kërkon që:

·         Të gjitha organizatat dhe kompanitë duhet të zbatojë kërkesat ligjore për monitorimin e cilësisë së ajrit, shtrirjen e rrjetit të monitorimit, normat dhe treguesit e monitorimit, raportimin e të dhënave dhe informimin e publikut.

·         Të gjitha platformat si ueb aplikacione dhe smart aplikacione që kanë qëllim informimin e publikut për cilësinë e ajrit duhet të bazohen dhe të shërbehen me të dhëna zyrtare  të cilat prodhohen nga MMPH/AMMK, përkatësisht Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, si i vetmi institucion përgjegjës i autorizuar për monitorimin e cilësisë së ajrit, ose në rrjete tjera monitoruese që plotësojnë kushtet, normat dhe standardet e përcaktuara me ligj.

·         Në raste të mos zbatimit të kërkesave ligjore të sipërpërmendura MMPH, përmes Inspektoratit të Mjedisit do të ndërmarrë edhe masa ligjore përkatëse.

​ 

Të ngjashme