Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka ka reaguar ashpër pas humbjeve të xhudistëve Laura Fazliu dhe Akil Gjakova në Grand Slamin në Baku, me ç’rast pakënaqësit e tij me ta, si asnjëherë më parë, i ka shprehur publikisht.
Ai tregoi se përveç Norës e Distrisë, priti sukses edhe nga Laura e Akili, të cilët e dëshpëruan trajnerin e xhudos.
Kuka ndeshjet e tyre i cilësoi si shumë të dobëta, teksa për Laurën që kishte pritshmëri të larta u shpreh se u tregua shumë e dobët, për Aklin tha se u prezantua pas asnjë ide.
“Nora e Disi mbeten medalistet e Kosovës në Grand Slam Baku Sot, Loriana fitoi një ndeshje, aq sa edhe Laura që ishte favorite për medalje të artë por që sot ishte shumë e dobët. Loriana provoj por s’mjaftoj. Akili, njëjtë si Laura, luftoi dobët dhe pa asnjë ide. Dje ishte ditë e shkëlqyer e sot e zbehtë. Pritjet ishin më të mëdha sidomos prej Laurës. Të dominosh në Masters e të performosh kaq zbehtë këtu diçka nuk funksionoj sot. Kosova, shteti ynë, nga Bakuja kthehet me medalje e ajo çka më gëzon është e arta e Norës pas shumë kohësh”, ka shkruar Kuka me të përfunduar gara e Laura Fazliut.
Laura Fazliu mbeti pa medalje në Grand Slam, teksa në repesazh pësoi nga portugezja, Barbara Timo, kështu duke u renditur e shtata.
Akili u ndal që në raundin e parë, teksa u mposht nga slloveni, Martin Hojak.