Gjykata Themelore e Prishtinës ua ka vazhduar edhe për dy muaj masën e paraburgimit Murat Jashari dhe Avni Llumnica, të dyshuarve për rastin e sulmit ndaj avokatit Azem Vllasi.
Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi avokati Naim Rudari, i cili e cilësoi të paligjshëm vazhdimin e paraburgimit.“Gjykata ka vazhduar masën e paraburgimit në kundërshtim me kodin e procedurës penale e konkretisht edhe pse nuk ka dhënë asnjë argument të vetëm për çështjen materiale ka bërë edhe shumë shkelje procedurale”, ka thënë avokati Rudari.
“Shkelje procedurale ka bërë në kundërshtim me nenin 190 të KPPK-se, ku specifikohet se paraburgimi nuk mund të zgjasë më shumë se tetë (8) muaj kur procedura zbatohet për vepër penale të dënueshme më shumë se pesë (5) vjet”, ka thënë ai.
Sipas avokatit Rudari, vazhdimi i paraburgimit nuk mund të bëhet për rastet kur kemi të bëjmë jo me figura të larta shtetërore.
“Edhe vepra penale – vrasje e përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës nga neni 126 e specifikon se për t`u kryer kjo vepër kur dikush privon nga jeta kryetarin e Kosovës, kryeparlamentarin, kryeministrin, kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, kryetarin e Gjykatës Supreme, kryeprokurorin e shtetit. A këtu në arsyetim flitet vetëm për avokatin Azem Vllasi i cili asnjëherë nuk ka qenë përfaqësues i lartë i Republikës së Kosovës”, ka deklaruar avokati i të dyshuarit Avni Llumnica, Naim Rudari.