Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka njoftuar se ka dorëzuar kërkesë për seancë të jashtëzakonshme për themelimin e komisionit hetimor parlamentar për kontratat njëburimore, raporton Ekonomia Online.
Sipas Tahirit, Qeveria Kurti ka keqpërdorur mbi 150 milionë euro përmes kontratave njëburimore. Këto sipas tij janë burim i korrupsionit.
“Sot dorëzova kërkesën për seancë të jashtëzakonshme në emër të 40 deputetëve të Kuvendit për të enjten e kësaj jave. Kjo seancë do të shqyrtojë propozimin për themelimin e komisionit hetimor parlamentar për kontratat njëburimore që grupi ynë parlamentar e ka parashtruar të premten e javës së shkuar. Pushteti i Albin Kurtit, vetëm në shtatë institucione, ka keqpërdorur mbi 150 milion euro taksa të qytetarëve përmes kontratave njëburimore që janë burim i korrupsionit. Ky skandal duhet dhe do të hetohet deri në fund. Jo vetëm këto kontrata por edhe miliona eurot e tjera, shpenzimi i të cilave është bërë në mënyrë të kundërligjshme”, ka shkruar Tahiri.
“Shumica parlamentare e ka mundësinë që të votojë këtë komision e të dëshmojë vullnetin për t’u bashkuar në kërkesën për llogaridhënie që duhet ta ushtrojë Kuvendi. Në të kundërtën, çdo tentim për bllokim ose refuzim të themelimit të këtij komisioni është dëshmi e qartë e panikut dhe frikës për t’u ballafaquar me faktet dhe të vërtetën e cila herët ose vonë do të triumfojë. Hetimi do të ndodhë patjetër”, ka shkruar tutje Tahiri.