Në momentet më të vështira për qytetarët e Kosovës, emra të mëdhenj të artit ishin mobilizuar për të dhënë kontributin e tyre. Në këtë formë ata u bënë zëri i kauzës për liri, dhe po ashtu meritor që bota ta kuptojë tmerrin që populli shqiptar në Kosovë përjetoi nga regjimi serb në fundin e viteve ’90, shkruan sot Koha Ditore.
Artistë të mëdhenj, në mesin e tyre aktorët Vanessa Redgrave e Paul Newman, këngëtarët legjendar si Michael Jackson, Luciano Pavarotti e George Michael e të tjerë, kontribuuan në forma të ndryshme. Disa me ndihma financiare, e të tjerë dhuruan vepra për të mbledhur mjete për fëmijët e Kosovës dhe të mbijetuarit e luftës.
Të tjerë krijuan vepra arti për të shënuar në historinë e artit vuajtjet dhe gjenocidin e ushtruar ndaj kosovarëve. Në njërën formë apo tjetër të gjithë ata morën rolin e ambasadorëve të paqes, dhe shpërfaqën humanitetin të cilin njerëzimi kishte nevojë të shihte. U bënë shpresë për ata që u kthyen në shtëpitë e djegura dhe varrosën më të dashurit e tyre.
Këta artistë mbase nuk e kanë dhënë kontributin e tyre që një ditë të shpërblehen, por shteti i Kosovës i cili shpalli Pavarësinë dhjetë vjet më parë, nuk ka bërë asgjë që të paktën të përkujtojë ndihmën e tyre.