Nga sot qarkullimi me autobusët e Trafikut Urban në Prishtinë do të jetë falas për gjithë qytetarët.
Kjo do të jetë për një muaj rresht. Kështu ka bërë të ditur gjatë së hënës kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
“Qarkullimi me autobusët e Trafikut Urban do të jetë falas për të gjithë qytetarët për një muaj rresht, duke filluar nga nesër 1 dhjetor. Zbatimi i të gjitha rregullave dhe masave mbrojtëse kundër #covid19 mbeten në fuqi dhe janë të obligueshme për secilin që udhëton me këta autobusë”, ka shkruar Ahmeti.
Ahmeti ka folur edhe për propozimin e asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që transporti falas për udhëtarët të jetë për katër muaj, për cka ai thotë se përkundër që ky është një porpozim i mirë një vendim i tillë nuk mund të merret pa ndryshuar buxheti.
Mirëpo ai thotë se pas muajit dhjetor do të vlerësohet situata e re varësisht nga buxheti dhe situata financiare.
“Në mbledhjen e parafundit të Kuvendit Komunal, asamblistët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë propozuar dhe ka kaluar rekomandimi për transport publik falas për 4 muajt në vijim. Përkundër propozimit të mirë, vendime të tilla që afektojnë buxhetin nuk mund të merren pa ndryshuar buxheti. Sivjet mund ta bëjmë por për vitin 2021 nuk kemi buxhet të miratuar sepse Kuvendi i Republikës ende nuk e ka vendosur. Por edhe në buxhetin që e kemi dërgu ne nuk është e paraparë. Prandaj pas dhjetorit do ta vlerësojmë situatën e re varësisht nga buxheti dhe nga situata financiare në përgjithësi. Të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm dhe të ndërgjegjshëm për mbrojtjen e shëndetit tonë dhe të tjerëve rreth nesh! #prishtina”, ka shkruar Ahmeti në “facebook”.
Ndërsa ata të cilët kanë paguar mujoret gjatë ditës së djeshme do t’iu kthehen paratë.
Në një njoftim nga Trafiku Urban kanë bërë të ditur se ata të cilët kanë mujoret e vlefshme do t’iu kompensohen ditët e pashfrytëzuara.
“Të nderuar qytetarë, siç jeni njoftuar përmes njoftimit publik, Kryetari i Komunës së Prishtinës ka marrë vendim që transporti publik me autobusët e Trafikut Urban të jetë papagesë gjatë muajit dhjetor, andaj të gjithë ata që kanë blerë bileta mujore mos të kenë shqetësim sepse do të ofrohet zgjidhje sipas njoftimit në vazhdim: – të gjithë ata që kanë blerë biletë mujore në kioskat e Trafikut Urban, sot me datë 30.11.2020, do t’u kthehen paratë aty ku e kanë blerë biletën, – të gjitha ata që kanë bileta mujore të vlefshme, do t’u kompensohen ditët e pashfrytëzuara (kur të përfundon udhëtimi pa pagesë, atëherë do të vazhdohen). Udhëtim të mirë dhe faleminderit për mirëkuptim! Për më shumë sqarime mundeni tek Qendra e Thirrjeve përmes telef & app. Viber: 045 10 11 22; 045 10 11 23; 045 10 11 28”, shkruhet në njoftimin e Trafikut Urban.