Të huajt vijojnë të mbajnë në lëvizje tregun e pasurive të paluajtshme në bregdet. Sipas agjencive kryesore në vend, arsyeja kryesore mbeten çmimet e lira, ndërsa blerësit kryesorë janë nga vendet e rajonit, të cilat nuk kanë dalje në det. Përmirësimi i infrastrukturës po tërheq blerës në Durrës. Fokusi i agjencive për bregdetin është kapja e tregjeve të huaja…
Në pamje të parë asgjë nuk i lidh një boshnjak, një italian, një ukrainas dhe dy gjermanë së bashku. Mirëpo që prej verës së këtij viti, ata janë banorët më të rinj të një prej pallateve në zonën e Shkëmbit të Kavajës në Durrës. Edi është administrator i pallatit, në të cilin këtë verë janë shtuar edhe pesë rezidentë të kombësive të ndryshme.
Sipas tij, arsyeja kryesore pse të huajt kanë zgjedhur Durrësin janë çmimet e lira. Për diçka më pak se 20 mijë euro mund të blesh një apartament në afërsi me bregun e detit.
“Çmimi për metër katror për një banesë matanë shinave të trenit në atë zonë varion nga 300 deri në 350 euro, gjë që ka joshur blerësit e huaj, të cilët sipas administratorit të pallatit kanë një moshë relativisht të re, nga 30 deri në 50 vjeç. Të gjitha shitjet janë kryer nëpërmjet agjencive të pasurive të paluajtshme dhe pronat kanë qenë të bllokuara nga bankat”.
Edi shton se për të parë apartamentet, godinën e kanë vizituar mbi tridhjetë persona me nacionalitet të huaj, por që nuk kanë vendosur. Një prej arsyeve kryesore, sipas tij, është mungesa e besimit për të blerë pasuri të paluajtshme në një vend si Shqipëria. Të huajt që kanë marrë në shqyrtim ofertat për shitje apartamentesh në pallatin që ai administron kanë njëlloj pasigurie.
Megjithatë nuk janë vetëm të huajt që po blejnë në Durrës. Sipas agjencive kryesore të patundshmërisë në vend, një burim i kërkesës në bregdet kanë qenë shqiptarët e diasporës dhe shqiptarët e Kosovës, të cilët sipas Jonian Antonit nga agjencia Century 21 janë më shumë të fokusuar në Veri të vendit. Ndërsa për sa u përket shqiptarëve, Klajdi Memajdini nga agjencia Devinf, thotë se janë më kërkues në cilësi dhe kërkojnë kryesisht apartamente cilësore në rezidenca banimi.
Xheni Jahja nga Tirana Real Estate argumenton se finalizimi i shitjeve ka datuar në periudhën para gushtit, megjithatë ajo shton se pritet të ketë interesim në 3-mujorin e parë të vitit të ardhshëm.
Buxheti është një nga faktorët që ndikon në përcaktimin e zonës për individët që kërkojnë të blejnë në bregdet. Për familjet me një buxhet të kufizuar, Durrësi është zona kryesore, ndërsa familjet me të ardhura më të larta kërkojnë kryesisht në Jug dhe në përgjithësi investojnë për një pronë në komplekse rezidenciale. Bazuar në listimet e pronave që kanë bërë agjencitë e pasurive të paluajtshme, “Monitor” ka përllogaritur çmimet mesatare të apartamenteve në bregdetin shqiptar.
Shëngjini është zona ku ofertat janë më të ulëta, gjë që reflekton stabilitetin e tregut të pasurive të paluajtshme në atë zonë dhe individët që kanë blerë kryesisht nuk kërkojnë që të rishesin, ndërsa ndërtimet e reja po fokusohen më së shumti në hoteleri. Individët që kanë blerë në Shëngjin, nisur edhe nga frekuentimi i lartë i bregdetit aty nga shqiptarët e Kosovës, i shfrytëzojnë pronat për tregun e qiradhënies. Megjithatë, bazuar në agjencitë kryesore në vend, çmimi mesatar për metër katror në zonën e Shëngjinit është 720 euro.
Bregdeti i Durrësit mund të ndahet në tre zona, bazuar në çmimin e pronave.
Zona më e shtrenjtë për sa i përket çmimit të apartamenteve është Gjiri i Lalëzit, ku çmimi për metër katror varion nga 900- deri në 1100 euro për metër në katror, në varësi të kompleksit rezidencial ku ndodhet apartamenti.
Zona e dytë fillon nga Plepat deri në afërsi të Golemit. Në këtë zonë të Durrësit ka shumë ofertë për shitje, bazuar mbi pronat e listuara nga agjencitë kryesore të pasurive të paluajtshme në vend. Çmimet më të ulëta janë për apartamentet në pallatet e ndërtuara pas hekurudhës, si në rastin në fjalë, që janë shitur me çmimin 300 euro për metër katror.
Sipas ofertave të listuara, pranë Hotel Adriatikut në Durrës mund të gjesh një apartament me çmim mesatar 450 euro për metër në katror. Për apartamentet që janë më pranë bregut të detit, çmimet mesatare luhaten në 700-750 euro/ m².
Zona e tretë është Golemi, Pishat e Buta dhe plazhi i Qerretit, ku çmimet për apartament janë rreth 800-850 euro për metër katror, duke qenë se rezidencat e banimit janë në komplekse dhe kanë lehtësi që tërheqin blerësit. Jugu i Shqipërisë mbetet zona më e shtrenjtë dhe jo vetëm për apartamentet, por edhe për vilat. Në Vlorë, zonat më të lira janë Rradhima dhe Orikumi. Sipas ofertave të listuara në Rradhimë, për një apartament banimi, çmimi mesatar është 700 euro për metër në katror, ndërsa në Orikum, çmimet mesatare për banesa janë rreth 450-500 euro/m², në varësi të afërsisë me bregun e detit.
Zona më e shtrenjtë vijon të mbetet Riviera. Një apartament në Dhërmi kushton mesatarisht 1200 euro/m², ndërsa për sa u përket ofertave të listuara, ato nuk janë të shumta në numër. Sipas agjencive kryesore të pasurive të paluajtshme dhe atyre që janë me fokus në bregdet, Saranda vijon të mbetet “mbretëresha” e bregdetit shqiptar. Çmimet mesatare të apartamenteve në Sarandë janë 900 euro/m². Kryesisht Saranda ka qenë zgjedhje për skandinavët, të nxitur edhe nga afërsia me aeroportin e Korfuzit.
Përveç të huajve, ka pasur interes edhe nga shqiptarët e diasporës dhe Kosovës. Sipas inxhiniere Xheni Jahja nga Tirana Real Estate kërkesat më të shumta kanë qenë nga shqiptarët e Kosovës.
“Në vite ka pasur rritje të interesit në blerje. Zonë fokus ka qenë Lagjja 13, ish-Hekurudha, Rrashbulli dhe Golemi. Në përgjithësi janë kërkuar apartamente 1+1, me kosto deri 35.000 euro. Ndërsa pjesa më e rëndësishme për to është që prona të ketë dokumentacion të rregullt ligjor”, – thotë Jahja. Ajo shton se sado që ofertat e tjera mund të kenë qenë tërheqëse, por pa dokumentacion, ajo kërkesë është anuluar menjëherë.
Edhe Jonian Antoni nga agjencia Century 21 thotë se siguria e dokumentacionit mbetet një nga prioritetet për realizimin e transaksioneve. Ai shton se në politikën e agjencisë së tyre nuk i prezantojnë fare pronat që kanë problematikë në dokumentacion.
Për inxhinieren Xheni Jahja, kërkesa është rritur për arsye të përmirësimit të infrastrukturës. “Që nga 2013-a, Rruga e Kombit ka afruar shumë vendet dhe fokusi i tyre për të investuar në bregdetin shqiptar është rritur. Emigrantët në vendet e tjera kanë interesim, por numri i tyre mbetet i vogël, me përjashtim të moshave të reja që kanë interes real dhe mendojnë që të investojnë në bregdet për një apartament të mirë”, – argumenton Jahja për Revistën “Monitor”.
Megjithatë, Jonian Antoni nga Century 21 thotë se edhe pse kërkesa nga diaspora është e konsiderueshme, nuk është në nivelet e mëparshme dhe e lidh këtë me largimin e tyre nga Shqipëria dhe me rritjen e çmimeve. Ndërkohë që një pjesë tjetër nuk e konsideron më kthimin në Shqipëri dhe për rrjedhojë, nuk e shikon të nevojshme investimin në pasuri të paluajtshme në vend. Ai shton se fokusi duhet të jetë te përthithja e tregjeve të huaja sesa te rikthimi i diasporës.
Vetëm “shqiptarët e pasur” blejnë në bregdet
Ndryshme nga të huajt apo shqiptarët e diasporës, shqiptarët kanë pretendime kur vjen puna për të blerë një shtëpi të dytë në bregdet. Klajdi Memajdini nga agjencia Devinf, argumenton se në përgjithësi, shqiptarët që blejnë shtëpi të dytë ose të tretë në bregdet kanë të ardhura të larta dhe për rrjedhojë, kërkojnë prona shumë cilësore. Në përgjithësi, kërkesa e tyre është e fokusuar në komplekset rezidenciale ku kanë edhe të gjithë lehtësitë e nevojshme.
Jahja shton se në përgjithësi, shtëpitë e dyta apo të treta shoqërohen edhe me kosto dhe sipas saj, duhet një ekonomi mbi mesataren për të investuar në bregdet për një pronë.
Saranda, në verë turizëm, në dimër patundshmëri
Për të huajt, Saranda vijon të mbajë vendin e parë për sa u përket shitjeve të pronave. Eron Çumani nga Saranda Property Invest thotë për “Monitor” që, pas sezonit të suksesshëm veror në qiradhënie të pronave në Sarandë, presin muajt në vijim për të finalizuar transaksione në shitje. Duke qenë se gjatë verës, Saranda vizitohet nga shumë turistë të huaj, shërben dhe si një mënyrë e mirë për prezantimin e pronave. Çumani thotë se në përgjithësi, pasi të huajt e vizitojnë si turistë gjatë verës, rikthehen në muajt tetor për të blerë apartamente.
Xheni Jahja nga Tirana Real Estate thotë se për qytetet si Saranda, në përgjithësi shitjet janë për efekt turistik. Ajo argumenton se shfrytëzimi i pronës në qytete si Saranda apo për apartamentet në rivierë, të cilat për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe largësisë nuk mund të shfrytëzohen lehtë gjatë gjithë vitit, bëhet më i vështirë. Ndryshe ndodh në Vlorë, Lezhë apo Durrës