Kampingu ku nuk pranohen turistët shqiptarë…

Kavajë | 23 Gus 2017 | 15:32 | Nga Gerta Kodheli

Çdo vit kur rikthehem në Shqipëri, më pëlqen të shikoj dhe eksploroj gjëra të reja. Dhe gjërat e reja janë me shumicë!

Fundjavën e kaluar vendosa të eksploroja plazhet e Karpenit, shumë afër Kavajës. Gjatë drekës, në një nga plazhet e reja që është hapur këtë vit aty afër, vumë re në distancë një lokal dhe plazh të vogël të ndërtuar mbi det dhe që lidhej me një urë me dërrasa sipër nga një kodër. Vendosëm të shkonim aty pas drekës të pinim kafen dhe të bënim plazh!

Rruga, si në të gjithë bregdetin e Durrësit dhe Kavajës, nuk ishte e lehtë, gurë dhe plehra për të kapërcyer. E vetmja mënyrë për të shkuar tek ai plazh/ishull është nga kampingu, por “nuk të lënë nëse je shqiptar” na tha një djalë.

Unë buzëqesha dhe vazhdova të ecja!

Nuk më pëlqen të shkel rregullat, por komenti që nëse je shqiptar nuk futesh dot aty, më bëri më të vendosur të zbuloja për çfarë bëhej fjalë. Për një moment mendova që djaloshi po bënte shaka. A ka idiotllik më të madh, në pikën e sezonit turistik, të diskriminosh mes turistëve, shqiptar apo të huaj?
Nuk është për t’u mburrur, por unë jam snobe! Kjo ka ndodhur gjatë viteve, për shkak të punës, jetës që bëj dhe profesionit që kam! Unë i përkas shtresës së mesme, aty ku jetoj, në një nga zonat më të pasura të Londrës! Por kur kthehem në Shqipëri përballem me snobizëm të përmasave irreale! Dhe këtë vit ishte radha e “Kampingut Pa Emër” të më përplaste në fytyrë harbutërinë dhe injorancën që i karakterizon.

Në fakt, përballja e parë me kampingun antishqiptar ishin dhjetra tabela “Ndalohet Hyrja” të vendosura kudo. Të dukej vetja sikur po hyje në një zonë ushtarake. Punonjësi i parë nuk arriti të më ndalonte (ndoshta iu duka si e huaj), por ndaloi pjesën tjetër të grupit që kishte mbetur pak larg meje.

Punonjësi i dytë më ndaloi pak metra më poshtë. “Këtu nuk lejohet për shqiptarët” – tha djaloshi! Buzëqesha…. ishte e vërtetë! Për një sekondë mendova t’i përgjigjesha anglisht dhe të tallesha pak me inteligjencën e këtij çunaku! “Por si e kupton ti që jam shqiptare?” – i thashë! Ndërkohë që përballë më vjen ai, të cilin e quanin… DREJTORI!

“Këtu nuk lejohet nëse nuk keni tendë, apo campervan” – tha drejtori. Ok, kjo fjali ishte më e pranueshme për veshët e mi!

“Patjetër” – i thashë, – “do largohemi, por të lutem, më jep ndonjë informacion për kampingun tuaj.”

Me këtë fjali duket se e teprova dhe po testoja durimin e drejtorit i cili ma ktheu harbutërisht: “S’kam kohë të merrem me ju! Duhet te largoheni. Çdo informacion është në website.”

Shqiptarët do mendonin, ‘u largove me bishtin në shalë’. Por jo, unë… u ktheva nga rruga sepse në fund të fundit, nuk po bëja gazetari investigative dhe mbi të gjitha, ishte vapë!

Duke ecur paralel me drejtorin, me qetësi iu përgjigja që problemi i shqiptarëve është që nuk dinë të bëjnë turizëm sepse kategorizojnë dhe ndajnë turizmin për shqiptarët dhe të huajt. Drejtori snob bëri sikur u habit që kjo frazë antishqiptare ishte përdorur prej një nga punonjësve të tij. Duke treguar edukatën e tij evropiane të huazuar nga turistët e huaj vërdallë kampingut, ia bëri të qartë para meje që kjo nuk ishte mënyra e të shprehurit dhe si me kujdes, i shkeli syrin punonjësit të tij. Ta heqim qafe këtë gocë, qenka kokëçarëse e madhe! Në fakt arsyeja pse ne u ndaluam të hyjmë në zonë, ishte që nuk kishim as tendat e kampingut dhe as campervan-in holandez.
Ah këtu ndryshon puna!

Unë kisha ardhur të eksploroja vendin, por tani doja të eksploroja drejtuesit e kampingut. Biseda e shkurtër mes ne të dyve ishte e civilizuar. Pa bërtitje, sharje dhe ofendime që zakonisht i karakterizon shqiptarët! Turistët kryesorë të kampingut, ndryshe nga çfarë e mendoja, nuk ishin holandezë, por kryesisht gjermanë dhe austriakë.

Shqiptarë nuk ka në përgjithësi dhe në të vërtetë, drejtori as nuk i donte. “Janë shumë zhulsa! Të paktën të huajt pastrojnë zonën ku rrinë!” tha ai. Si grup u ndjemë pak të ofenduar! Sapo kishim bërë dush dhe kishim aromën e Versaçes akoma në rrobat trendi të plazhit që kishim zgjedhur për aventurën në Karpen!

Doja t’i thosha ‘Drejtorit’ që unë, në fakt, nuk jam tipi që më pëlqen të jetoj si ‘gypsy’! Do preferoja të paguaja shumë lekë e të rrija në një dhomë hoteli “si zonjat!”, ku të më ndërrojnë çarçafët dhe të më pastrojnë dhomën dy herë në ditë. E vërtetë, ndoshta shqiptarët akoma nuk janë aq të sofistikuar sa gjermanët dhe austriakët për turizmin e kampingut, por të paktën mendimet negative për bashkatdhetarët tanë le t’i mbajmë në mendje. Apo jo ‘Drejtor’? Patjetër… (Dritare.net)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme