Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka reaguar lidhur me mënyrën se si institucionet universitare duhet t’i trajtojnë kërkesat e studentëve.
Përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Miftaraj ka theksuar se dialogu, dëgjimi dhe respekti ndaj studentëve janë elemente thelbësore të komunikimit institucional.
“Studentët kanë të drejtë edhe kur nuk kanë të drejtë! Kush është i mençur vendos dialog me studentët. I dëgjon studentët, bisedon dhe arrin marrëveshje”, ka deklaruar Miftaraj.
Ai ka theksuar se edhe në rastet kur kërkesat e studentëve mund të jenë përtej mundësive të universitetit, ato duhet të trajtohen me respekt dhe profesionalizëm.
Në fund, Miftaraj ka kritikuar qasjen arrogante dhe injoruese ndaj studentëve, duke paralajmëruar se ata që nuk tregojnë respekt dhe gatishmëri për dialog rrezikojnë të humbin besimin e tyre.
“Kush është i vonuar apo ka mungesë edukate dhe sillet me arrogancë dhe injorim ndaj studentëve dhe kërkesave të studentëve, përfundon në koshin e plehrave”, ka shkruar Miftaraj.