Biznesmenët kundërthënës nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq dhe kumbara i tij, Milan Radojçiq, të cilët dyshohen për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, së fundi ishin mysafirë në kremten e ditëlindjes së tabloidit ‘Informer’. Në këtë kremte, pos këtyre dy serbëve nga Kosova, ishte edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq.
Në disa fotografi që qarkullojnë në rrjete sociale shihen Veselinoviq dhe Radoiçiq të disponuar e të buzëqeshur, në krye të tavolinës mes të ftuarve, transmeton KTV.
Tabloidi ‘Informer’, që specialitet në ballinat e veta ka urrejtjen etnike ndaj shqiptarëve, tashmë me vite kremton ditën e themelimit me shumë pompozitet.
E këtë vit, në festën e tabloidit, që mes tjerash njihet edhe për shkrime skandaloze për opozitën serbe dhe gazetarët e pavarur, përpos kryeministres Brnabiq, mori pjesë edhe ministri i Minierave dhe Energjetikës, Aleksandër Antiq.
Veselinoviq dhe Radoiçiq tashmë me vite ndërlidhen me vepra të ndryshme kriminale. Veselinoviq përmendet edhe në dosjet e policisë serbe si hajdut i veturave, derisa në vitin 2003 ishte arrestuar për kontrabandë me heroinë.
Por për të, opinioni dëgjoi për herë të parë kur organizoi aksionin e vendosjes së barrikadave në pikat kufitare me Kosovën. Në një raport të BIA-s, thuhet se Veselinoviqi bashkëpunoi ngushtë edhe me Ismet Osmanin, të njohur si Curri, të arrestuar së fundi. E kumbara i tij, Radojiçiq, merrte drogën nga Osmani dhe e transportonte në Serbi.
Për Radoiçiqin, opinioni dëgjoi megjithatë për herë të parë pas vrasjes së politikanit nga veriu, Ivanoviq, derisa i ndjeri në një intervistë kishte deklaruar se Radojiçiq është qendra joformale e pushtetit në veri.
Fuqia e Radoiçiqit u vulos kur u emërua nënkryetar i Listës Serbe.
Kur Policia e Kosovës kreu aksionin për arrestimin e të dyshuarve për vrasjen e Ivanoviqit, Radoiçiqi nuk ndodhej në Kosovë. Ai vetëm një ditë më herët ishte takuar me presidentin serb, Vuçiq, i cili pohonte se ai nuk ishte në Serbi por në Kosovë.
Pos Vuçiqit, marrëdhënie të mira me Radjoçiqin ka edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.