“A do të transferoheshit te skuadra e Zenitit, nëse do të ofronin pagë vjetore prej pesë milionë eurosh?”. Kjo është pyetja që iu bë futbollistit nga Ukraina, Roman Yaremchuk, në një intervistë të gjatë që e dha në vitin 2019 për mediumet vendase. Yaremchuk nuk hezitoi dhe pa u menduar, dha përgjigjen e tij të prerë.
“Jo”, u përgjigj ai. “Është një pyetje e shkëlqyeshme dhe provokuese, por në situatën aktuale nuk do të shkoja te Zeniti. Jo për pesë milionë euro në vit, por as për dhjetë. Kjo është më se e sigurt. Unë kam gjithçka që kam nevojë në jetë dhe kjo është e mjaftueshme për mua”.
Yaremchuk, i cili aktualisht luan tek ekipi nga Belgjika, Gent, dhe është reprezentues i rregullt i Ukrainës, nuk ka asnjë pengesë për të bërë një lëvizje të tillë, por e konsideron si tradhti ndaj vendlindjes, përcjell Koha Ditore shkrimin e The Sun.
Ai insiston se nuk është sikurse futbollistët e tjerë ukrainas që vazhdojnë të bëjnë karrierë nëpër klubet e Rusisë. Komentet e tij krijuan bujë të madhe në shtypin sportiv të Ukrainës dhe më gjerë, por ai nuk flet për të gjithë ukrainasit.
Përkundrazi, shumë nga bashkatdhetarët e Yaremchukut mbështesin të drejtën e lojtarëve për t’u bashkuar me klubet e një shteti që po zhvillon një luftë të padeklaruar kundër Ukrainës. Nuk duhet të ketë politikë në sport, argumentojnë ata.
Debati për futbollistët ukrainas që luajnë në Rusi është pjesë e një diskutimi më të gjerë që rregullisht preokupon pjesën më të madhe të shoqërisë ukrainase. Çfarë lloj marrëdhënieje duhet të ndjekë Ukraina me Rusinë e sotme? Mes një konflikti të vazhdueshëm që ka shkëputur lidhjet midis dy vendeve që zgjasin me breza, ku duhet të tërhiqet linja e shkëputjes midis Ukrainës dhe Rusisë? A duhet të jetë ekskluzivisht në nivelin qeveritar, apo duhet të shtrihet edhe në ngrirjen e të gjitha marrëdhënieve kulturore e sportive?
“Ka ide të ndryshme, por unë kam parimet e mia”, insistoi Yaremchuk.
Ukrainasit kanë luftuar me këtë çështje qysh prej valëve të para të tronditjes së pushtimit të Rusisë mbi vendin në fillim të vitit 2014. Shumë yje të muzikës ukrainase kanë habitur të gjithë me vazhdimin e turneve fitimprurës në Rusi, ndërkohë, dhjetëra yje rusë që dikur e trajtuan Ukrainën si një qark të tyre të brendshëm të turneve janë bërë të padëshiruar për shkak të mbështetjes së tyre për luftën në Ukrainë ose hyrjes së tyre të paligjshme në Krimenë e okupuar nga forcat ruse.
Futbolli i politizuar
Duke pasur parasysh popullaritetin e madh të futbollit në të dyja vendet, ishte e pashmangshme që sporti të zinte një vend të spikatur në këtë debat.
Që nga fillimi i luftës në vitin 2014, shembulli i profilit më të lartë të një futbollisti ukrainas që nënshkroi për një ekip rus ka qenë transferimi i Yaroslav Rakitskiyt. Ai në janar të vitit 2019 u largua nga Shakhtar Donetsku për t’iu bashkuar Zenitit.
Ai mori kritika të konsiderueshme publike, pjesërisht sepse ishte akuzuar prej kohësh për mungesë të patriotizmit.