Përfaqësuesja e Malit të Zi është duke vazhduar përgatitjet për ndeshjen me Kosovën, por edhe për atë ndaj Çekisë. Te Mali i Zi edhe njëherë kanë konfirmuar se vlerësojnë maksimalisht përfaqësuesen e Kosovës.
Ndeshja Mali i Zi – Kosova luhet të premten nga ora 20:45 në stadiumin e qytetit në Podgoricë. Takimi luhet pa shikues. Ndërkohë Mali i Zi më 10 qershor luan në udhëtim ndaj Çekisë. Më 10 qershor Kosova takohet në udhëtim me Bullgarinë, shkruan sot Koha Ditore.
Ndeshjet e qershorit vlerësohen me shumë peshë në kualifikimet për “Euro 2020”. Kosova e Mali i Zi janë në grupin A, ndërsa e kanë nga një pikë. Kosova në mars barazoi në shtëpi me Bullgarinë, ndërsa Mali i Zi barazoi po ashtu me Bullgarinë, ndërsa pësoi 5:0 nga Anglia.
Portieri i Malit të Zi, Danijel Petkoviq, ka thënë se do të jetë hendikep që ndeshja me Kosovën luhet pa shikues. UEFA dënoi Malin e Zi me një ndeshje pa shikues për shkak të racizmit të tifozëve në ndeshje me Anglinë.