Federata e Futbollit të Kosovës ka caktuar ditën e martë të 25 korrikut, për të tërhequr shortin e çifteve të edicionit 2017/18.
Ndeshja hapëse e sezonit do të zhvillohet më 19 gusht, edhe sivjet në Superligë do të garojnë 12 skuadra dhe ky do të jetë edicioni i 9-të që garat do të zhvillohen me sistemin e Bergerit, në bazë të të cilit ekipet ballafaqohen mes vete tre herë.
Tre skuadra janë inkuadruar në Superligë nga Liga e Parë, Flamurtari, Vëllaznimi dhe Vllaznia e Pozharanit. Ndërsa klubet tjera që vazhdojnë në elitë janë: Trepça 89, Prishtina, Drita, Gjilani, Drenica, Llapi, Besa, Liria dhe Feronikeli.
Finalja e Superkupës së Kosovës mes Besës dhe Trepçës 89 do të zhvillohet një javë para fillimit të kampionatit, por ende nuk është caktuar stadiumi se ku do të luhet ndeshja. Ka mundësi që të zhvillohet në stadiumin Adem Jashari në Mitrovicë.