Autoriteti Kosovar i Konkurrencës do të mbajë seanca dëgjimore të martën për kompanitë që dyshohen për kurdisje të çmimit të naftës gjatë nëntorit dhe dhjetorit të vitit 2018, kur çmimi në tregun e Kosovës kishte mbetur i njëjti përkundër rënies së çmimit në berzën ndërkombëtare
Përmes një njoftimi drejtuar mediave, Autoriteti i Konkurrencës ka bërë me dije seancat dëgjimore mbahen në objektin e ish-Bankës së Lubjanës, Rr. Migjeni, kati i IV, në Prishtinë, duke filluar nga ora 10.00.
“Seancat dëgjimore do të jenë të mbyllura, por mediet do të lejohen të marrin pamje para fillimit të tyre”, thuhet në njoftim.
Ky hetim ka filluar në fillim të vitit 2019, kur ishin ngritur dyshime se operatorët e shitjes me pakicë të këtyre derivateve nuk kishin reflektuar në mënyrë individuale gjatë caktimit të çmimeve gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 2018, kur çmimi në tregun e Kosovës kishte mbetur i njëjti përkundër rënies së çmimit në berzën ndërkombëtare.
Sipas AKK’së, derisa në nëntor të vitit të kaluar fitimit i këtyre kompanive ishte rritur për 60% , në dhjetor, fitimi ishte rritur për 124%.
Këto kompani dyshohet se fituan 50 centë në një litër naftë, e cila në bursë, atëkohë ishte blerë për 21 centë dhe në Kosovë ishte shitur për 1 euro e 20 centë.