Të martën shënohet dita ndërkombëtare e shëndetit oral

Prishtinë | 18 Mar 2018 | 18:22 | Nga

Në kuadër të projektit “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”, të martën, përmes aktiviteteve shënohet dita ndërkombëtare e shëndetit oral.

Ditën e martë, nga ora 09:30 deri në orën 10:30 hapsira në amfiteatrin e sheshit “Zahir Pajaziti” është e rezervuar për prezantim të fëmijëve e nxënësve me poezi për shëndetin oral, ndërsa nga ora 10:30-10:45 realizohet ecja e katërt me radhë “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur” që ka për qëllim informimin e fëmijëve e nxënësve mbi rëndësinë e shëndetit oral (shëndetit të dhëmbëve dhe të gojës).

Ecja realizohet nën kujdesin e ambasadorëve të projektit “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur” ndërsa nisja bëhet në orën 10:30 nga sheshi “Zahir Pajaziti“ deri te sheshi “Ibrahim Rugova”. Deri tani pjesëmarrjen e kanë konfirmuar shumë institucione parashkollore e fillore të cilat do të marrin pjesë në mënyrë të organizuar me mbi 1500 fëmijë e nxënës. Numri i pjesëmarrësve mund të rritet edhe më shumë.

Gjatë ecjes, të gjithë fëmijët e nxënësit do ta këndojnë LIVE këngën “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”.

Po ashtu, të martën, publikohen rezultatet e hulumtimit mbi gjendjen e shëndetit oral tek fëmijët e nxënësit e grupmoshave dy deri në 14 vjeç, të realizuar nga dentisti Xheladin Ujkani i cili edhe do të dalë me rekomandime e këshilla drejtuar prindërve e fëmijëve, por edhe institucioneve parashkollore e fillore.

Ky është viti i gjashtë shkollor që realizohet “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”, projekt që monitorohet dhe bazohet në rekomandimet e Komitetit ndërministror të programit ”Shkollat Promovuese të Shëndetit” nga Ministria e Arsimit, Shkëncës dhe e Teknologjisë (MASHT), Ministria e Shëndetësisë (MSH), Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) si dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS).

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme