I mbijetoi aksidentit tragjik të autobusit në Llaskarcë, por plagët në fytyrën e tij janë ende të dukshme. Betim Ameti, njëri nga 55 udhëtarët, të cilët më 13 shkurt nga Shkupit po ktheheshin për në Gostivar, arriti të shpëtoj nga rrokullisja e autobusit të “Duro Toursit”, që devijoi nga autostrada.
Betimi thotë se gjurmë nga aksidenti ka edhe në pjesët tjera të trupit, por traumat janë më evidente, kur sipas tij, po bëhet zvarritja e dëmshpërblimeve dhe mos marrja e një epilogu gjyqësor për shkaktarët e aksidentit.
Shumica e të lënduarve nuk kanë informatë ose i kanë të gabuara dhe nuk i kanë dorëzuar kërkesat duke menduar se me dorëzimin e kërkesave do ta humbin të drejtën e ngritjes së padisë. Kjo nuk është e vërtetë se në bazë të ligjeve pozitive të RVM-së, e drejta e padisë nuk do të humbet edhe pasi ta marrin shumen e caktuar nga kompania e sigurimeve, ata edhe me tutje e gëzojnë të drejtën që ta padisin shkaktuesin faktik të dëmit”-tha Betim Ameti, i mbijetuar nga aksidenti.
Tre muaj e gjysmë pas këtij aksidenti, procedura e dëmshpërblimit mbetet ende e hapur. Ndonëse sipas Ligjit për sigurim të detyrueshëm në trafik, pagesa e të dëmtuarve do të duhej të realizohej nga kompania e sigurimeve, ajo mbetet peng e mos paraqitjes së disa kërkesave nga të dëmtuarit. Nga “EuroSig” thonë se kompania e tyre është në procedurë të shitjes, andaj iu bëjnë thirrje që kërkesat për dëmshpërblim të dërgohen sa më shpejtë, për t’i hapur rrugë pagesave të të gjithë të dëmtuarve.
Sipas të dhënave të kësaj kompanie, për 16 personat që kanë ndërruar jetë, familjarët e tyre kanë paraqitur kërkesat kurse për 39 të lënduarit, deri më tani janë paraqitur 33 ndërsa 6 të tjerë ende nuk kanë dorëzuar kërkesën e dëmshpërblimeve.
Sipas polisës së sigurimit, të autobusit të aksidentuar, udhëtarëve në rast fatkeqësie në komunikacion u takon dëmshpërblimi prej 675.000,00 Eurove. Familjet e të vdekurve do të kompensohen me nga 4.500€, invalidët me nga 9.000€ kurse, të lënduarit do të marrin nga 2.200€ për kurimet mjekësore.
Për të zbardhur këtë rast, Prokuroria Publike po ndjek dy pista hetimi, faktorin njeri dhe shkaqet teknike. Andaj organi akuzës, një muaj pas ngjarjes kërkoi arrestimin e 7 personave, në mesin e të cilëve pronarin, shoferin dhe shefin e kontrollit teknik të Kompanisë “Durmo Tours”. Por, gjykatësi i procedurës paraprake, përkohësisht vendosi t’ua zëvendësoj masën e paraburgimit me arrest shtëpiak pronarit Durmish Beluli dhe shoferi Manoil Trifunovski, për shkaqe shëndetësore. Por, Betimi, i cili me profesion është jurist thotë se përveç kësaj, padi civile do të ngrejë ndaj ‘Durmo Toursit’ dhe ndaj NP “Rrugët e Maqedonisë”, pasi që sipas tij, nuk kanë siguruar rrethojat anësore në autostradë.