Numri i personave të mitur të akuzuar në gjykatat themelore të Kosovës gjatë vitit 2019 ishte mbi 1 mijë persona.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) ka rënë numri i të miturve të akuzuar për vepra penale.
Në bazë të raportit vjetor, del se numri i personave të mitur që janë akuzuar në gjykatat themelore të Kosovës në vitin 2019 ishte 1 013 persona. Ndërkaq numri më i madh i të akuzuarve ishte në Gjykatën Themelore të Prishtinës me gjithsej 414 persona.
“Nga gjithsej 1 013 persona të akuzuar, prej tyre janë dënuar 686 persona, ose 67.7 % e të akuzuarve. Po ashtu, numri më i madh i të dënuarve ishte në Gjykatën e Prishtinës me gjithsej 294 persona, ose 42.9% e numrit të përgjithshëm”, thuhet në raportin e ASK-së.
Pas Prishtinës, numri i më i madh i të akuzuarve është në Gjykatën Themelorë të Gjilanit, kurse numri më i vogël është regjistruar në Gjykatën Themelore të Gjakovës.