Shtimi i rasteve të vdekjeve dhe i lëndimeve të punëtorëve në vendin e punës nuk kanë mobilizuar institucionet përgjegjëse që të marrin ndonjë masë parandalimi dhe të mbikëqyrin më rreptë zbatimin e Ligjit të punës dhe Ligjit për shëndetin dhe sigurinë në punë. Respektimin e të drejtave të punëtorëve autoritetet e kanë lënë në vullnetin e punëdhënësve.
Roli i Inspektoratit të punës – institucion i cili e bart përgjegjësinë për sigurimin e respektimit të ligjeve që lidhen me punën – është pothuajse i papërfillshëm në evitimin e faktorëve që rrezikojnë sigurinë e shëndetin në punë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ekonomia kosovare ende është në fazat e para të zhvillimit. Statistikat zyrtare i nxjerrin si të papunë afro 30 për qind të të gjithë forcës punëtore që ka Kosova. Probleme të tilla me ekonominë e kanë vënë në plan të dytë një kërkesë tjetër ligjore e domosdoshmëri njerëzore: mbrojtjen e punëtorëve në vendet e tyre të punës.
Punëtorët e sektorit privat janë më të pambrojturit. Ata më së shumti i ndiejnë pasojat e shkeljeve të ligjeve, që rregullojnë kushtet e punës.
Në këtë sektor mungojnë strukturat sindikale, për dallim prej sektorit publik ku ato janë të organizuara mirë, dhe përmes presionit ndaj ekzekutivit e ligjvënësve shtyjnë përpara interesat e punëtorëve..