Alfred Adleri, në librin “Psikologjia e fëmiut”, thotë se “Fëmijët e përkëdhelur, bëhen njerëz të urryer”. Nuk e kisha lëndë mësimore, por isha e re, në gjimnaz, dhe lexoja krejt çka më dilte përpara, dhe nga ai libër për herë të parë në jetë kuptova se edhe “fëmijët vrasin”, mund ta vrasin nënën, vëllain, motrën, shokun, me plan dhe me paramendim.
Një vajzë 5 vjeçe, i mashtroi “shoqet dhe shokët” bashkëmoshatarë, i çoi në një pishinë, dhe i hodhi në ujë, duke i mbytur njërin pas tjetrit.
Ky ndoshta ka qenë “zbulimi:” më i madh nga librat, që më ka tronditur më shumë në jetë.
Ishim të rinj. Me padurim e prisnim top listën e MTV-së, të dielave.
Duheshim mes vete, vëllezër e motra.. Dhomën e ndejës e improvizonim si kinema, dhe tuboheshim rreth televizorit të vogël.
Nëna gatuante pite, na e sjellte ta hamë duke shikuar top-listën, pa lëvizur vendi, e përvëlonte çajin dhe çdo të diele pjekte fara kungulli në furrë.
Por nuk na llastonte, nuk na përkëdhelte, përkundrazi na e mësonte dyshimin, na mësonte të tëhollonim petë, të pjeknim bukë, të lajmë rrobe me dorë, të pastrojmë xhamat, së bashku me babën e lyenim shtëpinë.
Pastaj, kur kryheshin punët, dilnim luanim futboll me babën. Babai ishte një shok i afërt me ne, me të flisnim për ndodhitë e tij, për filma (ishte adhurues i madh i kinemasë), por dinte ta ruante distancën nga ne, as nuk na llastonte, as nuk na ndëshkonte, na linte të rriteshim të lirë, na thoshte se nëse e bëni ndonjë problem, vet do të ballafaqoheni me pasojat, dhe mbase që e kishte xhandaren (nanën time), e cila s’ka ditur tjetër të na mësonte në jetë, përveç të mësonim, të shkolloheshim, të bëheshim të pavarur (mos u bëni myftjaç për askënd në jetë ka qenë motoja e saj, sidomos për neve motrave), se thoshte i vetmi zhig në jetën e saj që i mbetet peng, është shkolla, të bëhej “dikushi”, por ishte jetime dhe e varfër, prandaj ngeli që ta realizojë ëndrrën përmes neve pesë fëmijëve të saj.
Më vjen të qaj, sot, kur më kujtohet vetja kah i spjegoja mësimet e fizikës dhe formulat e kimisë para saj, e ajo më shikonte me vetëbesim, kurrë pa u lodhur, e pa u mërzitur, anipse nuk e dinte për çka e kisha fjalën.
Kur kryhej top-lista e MTV-së, thurnim dorëza, dhe bartnim drutë dimrit shkallëve, nga bodrumi i banesës deri në katin e katër.
Gjë s’na gjente. Shtyheshim cili po e çon i pari thesin me dru, e fryma garuese na jepte forcë, na jepte jetë.
Fëmijët e përkëdhelur, bëhen njerëz të urryer, indiferentë dhe kanë pandjeshmëri ndaj fatjkeqësisë së të tjerëve. Përkëdhelja dhe llastimi është djalli më i madh që e shkatërron jetën e njeriut. Kështu thoshte Alfred Adler.
Të më falni, por edhe pse s’jam prind, dhe fizikisht nuk kam fëmijë, shpirtërisht dhe mendërisht kam lindur për çdo ditë. I dua fëmijët e motrës dhe ata të vëllait, sikur të ishin të mitë. Ata janë të mitë, tek e fundit. Të gjithë. I dua shumë fëmijët e shokëve dhe shoqeve të mia. Dua t’i shoh mbi retë.
Prandaj, i jap vetes të drejtë të flas për këtë temë.
Shumica e prindërve që unë njoh, i llastojnë fëmijët, i kursejnë nga puna fizike, nuk i mësojnë të pavarësohen dhe të bëhen të fortë (asnjë fëmijë shqiptar nuk e di rrugën të kthehet në shtëpi, sepse të gjithë gati, deri në gjimnaz, i çojnë me vetura në shkollë).
Nuk ua mësojnë atdhedashurinë.
I mësojnë të bëhen vetjak.
Të veçohen.
U japim ushqim pa karar. Shumica janë fëmijë mbipeshë.
Në kohën tonë, kemi hëngër atë ushqim që ka qenë në sofër. Askush nuk ka guxuar ta shkel troshën e bukës e as të thotë për ushqimin “i keq”.
Tash fëmiut i jepet çdo ushqim që e kërkon. Sidomos coca-cola.
Gati secili prind e korrupton fëmiun e tij dhe gati secili fëmijë e shantazhon dhe e manipulon prindin e tij. Dhe, ia mbyll gojën duke ia dhënë iphonin.
(Barak Obama, Madona dhe shumë njerëz tjerë të mëdhenj u kanë blerë fëmijëve iphone, pasi i kanë mbushur 18-të vjet, ndërsa beba shqiptare sendin e parë që e sheh në këtë jetë posa të lind është iphoni).
Fëmijët “vrasin”, “presin” e “grijnë” gjithë ditën e lume, personazhe të ndryshme të lojërave të përgjakura.
Gati secili fëmijë ka qasje në filma pronografik dhe në video dhune e perverziteti. Filmat më të preferuar janë horrorët, ndërsa u pëlqen frika dhe i tërheq arroganca. Filmi “Anabell” për shembull.
Nëse ktyneherë u kanë thënë fëmijëve “dilni luni” për të pushuar prindërit prej tyre, tash ua japin telefonat në dorë.
I thonë gjenerata e Instagramit, por, instagrami e promovon narcisizmin, asgjë të hajrit instagrami nuk mëson, ama bash asgjë.
P.S. Çohet djali i ri, i zbehur dhe me shikim të ftohtë e të humbur e nxjerr biletën prej Amerikës dhe vjen për ta vrarë shokun e tij për një vajzë të djallëzuar që i pëlqejnë dramat dhe tragjeditë. (Asgjë e re nën këtë qiell, gjithmonë ka pasur shtriga dhe nekrofilë që i kanë duartrokitur vdekjes).
Çohet vajza 15-të vjeçe, që duket si 30-të, dhe fotografohet pranë vrasësit, dashnorit të saj, pas vrasjes së djalit, të cilin e mashtron dhe e vë në pritë, dhe ende pa u ftohur gjaku i viktimës së saj, ajo qesh, plus qesh para kamerës, fotografohet dhe e poston fotografinë me armën e krimit…
Qesh se është psikopate, nuk ndjen asgjë, as frikë, as turp, as frikë, s’ndjen asgjë, sepse është vrasëse.
Vrasësit ia jep babai dhe nëna paret për biletë nga Amerika, halli i tij kur do shkon e vjen në Amerikë, s’e ka problemin e pareve. Luksi dhe paraja i ka llastuar, dhe llastimi e përkëdhelja i ka shndërruar në djaj, plus në budallenjë. Në njerëz pa dhembshuri dhe pa ndjenjën e solidaritetit.
Jo rastësisht, jetimët dhe njerëzit e hequr keq bëhen njerëzit më të suksesshëm, ndërsa fëmijët e të kamurve dhe atyre prindërve që i llastojnë fëmijët, rëndomë përfundojnë në drogë, në dështim dhe në trishtim.
Kur i mituri e bën krimin “e të rriturve” duhet të gjykohet si i rritur.
Bile-bile, kur njeriu e di se e paguan me jetë krimin (Ligji për dënimim me vdekje, siç e ka Amerika, ku dhjetëra të rinj presin realizimin e dënimit me vdekje. Pse duhet të jemi më demokrat se amerikanët!), ndoshta së paku mendohet dy herë para se t’ia marrë jetën dikujt.
Këta të mitur, ende pa i bërë 25 vjeç do të dalin nga burgu, dhe do të mund ta vazhdojnë “dashurinë” e tyre të “ndyrë e të sëmurë”, edhe me ndihmën e drejtësisë së korruptuar të Kosovës.