Nga fillimi i fushatës, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka rimbursuar 438 660 qytetarë apo 7.8 milionë euro për kuponët e dorëzuar fiskalë. Shifrat kanë tejkaluar edhe pritshmërinë e vetë ATK-së.
Së fundi ka pasur informacione se do të ketë ndryshime dhe se ata që dorëzojnë kuponët në vend të parave do të përfitojnë dhurata.
Por, Valentina Bytyçi-Sefa, zyrtare për informim në ATK, sqaron se Administrata Tatimore nuk ka marrë ende ndonjë vendim rreth ndryshimit të formës së rimbursimit.
“Menaxhmenti i ATK-së ende nuk ka marr ndonjë vendim, rreth ndryshimit të kampanjës për rimbursim nga kuponët fiskalë. Në momentin që do të kemi diçka, sigurisht që qytetaret do t’i njoftojmë me kohë. Tani për tani do të vazhdohet në këtë mënyrë”, ka thënë ajo për InfoPress.
Ndër të tjera ajo ka cekur se numri i të rimbursuarve është rritur mjaft shumë, ku shifrat të cilat kanë arritur e kanë tejkaluar pritshmërinë e ATK-së.
“Që nga fillimi i kësaj kampanje e deri më tani, kemi rimbursuar 438 660 qytetarë, me 7.8 milionë euro. Shifrat që i përmendëm kanë tejkaluar pritshmërisë tona”, është shprehur ajo.
Ndërkaq, njohësi i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi e ka vlerësuar këtë kampanjë si një proces të arsyeshëm për të gjithë qytetarët. Rexhepi ka thënë se ndërprerja e këtij procesi shkakton vetëm evazion, dhe se kjo çështje ulë ekonomin e vendit.
“Nuk duhet me ndërpre, ky është një proces i arsyeshëm për qytetarët, për shkak se duhet të vetëdijesohen. Nëse kjo çështje ndërpritet shkakton evazion, për shkak se bizneset nuk paguajnë tatimet dhe me këtë gjë ulet ekonomia e vendit”. ka thënë Rexhepi.
Ndërsa, qytetari Fatos Gashi nga Gjilani është njëri prej përfitueseve të rregullt të kësaj kampanje. Ai është shprehur i kënaqur me këtë proces. Sipas tij kjo lloj fushate siç e quan ai është një gjë shumë e mirë për shkak se po e ngrit vetëdijen e qytetarëve, dhe në anën tjetre zhvillohet ekonomia e vendit.
“Jam përfitues i rregullt i kësaj kampanje ku unë personalisht jam i kënaqur shumë, sepse kjo lloje fushate po na ngrit vetëdijen si qytetar dhe të njëjtën kohë edhe zhvillohet ekonomia e vendit” ka theksuar ai.